Krimi që rrezikon të harrohet, dëshmitarët e masakrave në Kosovë nuk ftohen për tu intervistuar

09.06.2020 19:07:11

Shumë prej 53 të vrarëve në masakrën e Poklekut, janë familjarë të Ramdan Muqollit.

21 vjet më parë, ata u vranë e masakruan në fshatin Poklek të Drenasit, nga forcat serbe.

Gjithë këtë tragjedi, Ramadani e pa me sytë e tij, por shpëtoi pasi gjatë pushkatimit nga forcat serbe, mbi të ranë të vrarët.

Kujtimet ende i ka të gjalla nga ajo ditë, mirëpo as pas dy dekadash, atë kurrë askush nuk e ftoi për të dëshmuar.

Çlirimin shpirtëror për tmerrin që pa, ai e ka vetëm gjatë intervistave për media.

“Gjykata kurrë nuk më kanë thirrë, a intervista kom dhanë me qindra. Kisha mesazh se mu gjet bre qata gjinë që e kanë ba këtë masakër” thotë Muqolli për RTK-në.

Raste si të Ramadanit ka shumë. Ecja nëpër kompleksin memorial në Reçak, Ramë Shabanit nga ky fshat, ia rikthen kujtimet e rënda të masakrës që tronditi botën në vitin 1999.

Rama është njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre, i cili megjithatë, dy dekada më pas nga ajo ditë, prokuroria e ftoi për intervistë.

Sidoqoftë, vitet dhe koha e bëjnë punën e tyre. Atëherë ishte 35 e tani 55 vjeç, prandaj tregon se e ka të vështirë t’i identifikojë serbët që e kryen këtë krim. Këtë e ka thënë edhe në departamentin për krime lufte në Prokurori.

“Unë e kam dhanë dëshminë, qaj komandiri që i kanë thanë. Sot qitma qetu se njoh, se ai i ka ba 70 vjet. Gjykatën na e kena në dorë vet, sikur para 1 viti që më kanë thirr, kanë mujt edhe ma herët me na intervistu”, shprehet Shabani.

Që nga ajo ditë, Rama e as babai i tij i cili gjithashtu është dëshmitar, nuk janë kontaktuar më nga institucionet e drejtësisë.

Kështu, dëshmitarë e dëshmi të krimeve të Serbisë në Kosovë, koha ngadalë po i zhduk.

Në Prokurorinë Speciale nuk i kanë kthyer përgjigje RTK-së, përkundër pritjes dy javore.

Në Fondin për të Drejtën Humanitare thonë se, me vdekjen e dëshmitarëve, zbardhja e krimeve të luftës bëhet gati e pamundur.

E Avokati i Popullit fajin ua lë vetë institucioneve vendore.

Që nga krijimi i departamentit për krime lufte në vitin 2015, deri më tash janë ngritur 9 aktakuza ndaj 10 personave.