Putin jep shenja se do përzihet në dialogun Kosovë-Serbi, kryediplomati rus këtë muaj viziton Beogradin

09.06.2020 17:57:07

Rusia po jep shenja se do të kërkojë të involvohet qoftë në formë direkte qoftë indirekte në dialogun Kosovë-Serbi.

Indikacione të forta për këtë fakt, dha sot presidenti serb, Aleksander Vuçiq, i cili konfirmoi se më 18 dhe 19 qershor shtetin e tij do ta vizitojë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, transmeton lajmi.net,.

Sipas asaj që shkruajnë mediat serbe, Lavrov në Beograd do të vijë me qëllimin e përçimit të mesazhit se pa Serbinë nuk ka zgjidhje për Kosovën.

Pak për vizitën ka folur edhe vet Vuçiq. Ky i fundit u pyet pikërisht për raportimet e lartëpërmendura të mediave, mirëpo që nuk dha ndonjë përgjigje direkte.

“Do të takohem me Lavrovin më 18 qershor dhe ta dëgjoj se çka mendon ai. Jam i bindur se ai po vije me motive, fjalë dhe mesazhe miqësore”,  tha Vuçiq para gazetarëve.

Ideja që Rusia të përfshihet në dialog ka rrjedhur qysh më herët, mirëpo se është aktualizuar shumë kohëve të fundit.

Një pjesëmarrje të Moskës nuk e ka përjashtuar as vet SHBA-ja, teksa me anë të një përgjigje për lajmi.net nga zyra e Richard Grenell, është thënë se në proces të dialogut është e mirëpritur secila palë që ka ide funksionale për arritjen e marrëveshjes finale.