Kryeministri i Hungarisë sugjeron ngritjen e një qyteti refugjatësh në Libi

25.09.2016 21:53:53

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka theksuar se Bashkimi Europian duhet të ngrejë një qytet gjigand të refugjatëve në bregdetin e Libisë.

Orban, i cili ka një qëndrim të ashpër ndaj emigrantëve, sugjeroi që një qeveri e re e Libisë të drejtojë këtë kamp. Këto komente ai i bëri në samitin e Vjenës, ku morën pjesë lider të Europës dhe Ballkanit.

Kryeministri i Hungarisë i ka mbyllur kufijtë e shtetit që ai drejton me tela, ka vënë policë roje, madje edhe qenë-rojë për të mos lejuar kalimin e refugjatëve. Ndër të tjera ai deklaroi se BE duhet të rimarrë kontrollin e plotë të kufijve të saj të jashtëm. Libia është përfshirë nga kaosi që pas kryengritjes së vitit 2011.