Kryeministri Mustafa: Janë të papranueshme sjelljet e Serbisë ndaj qytetarëve tanë dhe ngritjes së veprave që ata nuk i kanë bërë

11.10.2016 17:17:19

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se po ballafaqohemi me situatë të pakëndshme dhe mjaftë problematike me arrestimin dhe burgosjen e njerëzve nga Kosova nga ana e pushteti serb, në këtë rast edhe me arrestimin e Nehat Thaçit.

Mustafa ka thënë se arrestimi i tij është akt politik dhe nuk ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Sipas informatave që kam unë si kryeministër, Nehat Thaçi nuk ka qenë duke udhëtuar në mënyrë zyrtare, ai ka qenë duke udhëtuar në mënyrë private nëpër Serbi. Janë të papranueshme sjelljet e Serbisë ndaj qytetarëve tanë dhe ngritjes së veprave që ata nuk i kanë bërë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka theksuar se përmes institucioneve tona dhe Bashkësisë Ndërkombëtare kanë kërkuar që Thaçi të kthehet në Kosovë.

Kryeministri ka theksuar se nuk ka asnjë arsye që Serbia të ndërhyjë në punët e Kosovës.

“Kemi kërkuar edhe nga Brukseli që të ushtrojë trysni që z.Thaçi të kthehet në Kosovë. Arrestimi i tij nuk është në interes të Kosovës, ai është në interes të disa individëve në Serbi”, tha Mustafa.

Ai shtoi se do të vazhdojnë me procesin e dialogut sepse sipas tij ka ende çështje të pazgjidhura me Serbinë.