Kryeministri Mustafa: Kosova e para në rajon dhe Evropë për rritje ekonomike dhe e 13-ta për lehtësi të të bërit biznes

20.11.2016 19:26:31

Nëpërmjet një postimi në facebook, kryeministri Mustafa ka bërë publike dy lajme shumë të mira që lidhen me rritjen ekonomike dhe me lehtësirat e të bërit biznes. Bazuar në të dhënat e Institutit IFO të Universitetit të Munihut në Gjermani, kryeministri Mustafa përcjell lajmin se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe në Evropë.

Në anën tjetër, bazuar në një annalizë të “Bsiness Insider”, kryeministri Mustafa përcjell lajmin, po ashtu, shumë të mirë, sipas të cilit Kosova zë vendin e 13-të për lehtësira të të bërit biznes.

“Kosova radhitet e para në rajon dhe në Evropë për rritje ekonomike si dhe e 13-ta në botë për lehtësitë e krijuara në bërje të biznesit.

Të dashur miq, dëshiroj të ndaj me ju dy lajme shumë të mira, të radhës, për shtetin tonë.

Instituti IFO i Universitetit të Munihut, ndër më prestigjiozët në Evropë, ka publikuar të dhënat për rritjen ekonomike për Evropën. Qartësisht shihet se Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në rajon dhe në Evropë.

Po ashtu, një prej mediave kryesore të biznesit në botë, Business Insider, në një artikull të saj ka renditur Kosovën në vendin e 13 në botë për lehtësitë e krijuara për bizneset, ku konkludohet se “Kosova e ka lehtësuar pagimin e taksave duke aplikuar një sistem online për deklarimin dhe pagimin e TVSH-së dhe kontributeve të sigurisë sociale. Po ashtu, ka lejuar më shumë kategori të shpenzimeve për t’u zbritur nga tatimi i korporatave”.

Artikulli, i cili është bazuar në raportet e Bankës Botërore dhe ka analizur të dhënat e më shumë se 130 mijë firmave në 139 ekonomi botërore, e ka futur Kosovën në listën e 17 vendeve më të suksesshme për hapjen e bizneseve.

Të nderuar bashkëqytetarë, Republika e Kosovës, dita e ditës po korrë sukseset e punës së jashtëzakonshme që është bërë në dy vitet e fundit në zhvillimin ekonomik, reformat fiskale, përmirësimin e ambientit për biznes, integrimet evropiane, forcimin e rendit dhe ligjit, mirëqenien sociale, përkrahjen e arsimit, kulturës, sportit, raportet me diasporën, e shumë aspekte të tjera.” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa në facebook.

gdp