Vinales, kampioni i ardhshëm i botës në MotoGP ?

20.11.2016 19:14:37

Ishte më i shpejti në debutimin e tij me Yamahan gjatë testeve që u zhvilluan në Valencia dhe menjëherë kuotohet si rivali i madh i Marc Marquez, në garën për titullin Botëror në Moto Gp sezonin e ardhshëm. Mbetet për tu parë se cfarë do të bëjë në pistë por për bookmakers-at, Maverick Vinales është i vetmi pilot që ka realisht mundësi për të rivalizuar kampionin në fuqi të Botës gjatë vitit 2017-të. Në 2 ditët e provave në Valencia, Vinales edhe pse hipte për herë të parë në një motor Yamaha i surprizoi të gjithë, me xhirot e shpejta që regjistroi. Të Martën dhe të Mërkurën e kaluar në Valencia debutuan edhe Lorenzo me Ducatin, Iannone me Suzukin e Aleix Espargaro me Aprilian, por asnjëri nuk u përshtat më mirë me motorin sesa Maverick Vinales. Është vetëm 21-vjec por në sezonin e tij të dytë në Moto Gp, spanjolli i talentuar u rendit i 4-ti në klasifikimin e përgjithshëm duke lënë pas emra të tillë si Dovizioso e Pedrosa, edhe pse garonte me një motor Suzuki. Vinales i cili është shpallur kampion bote në Moto 3 në 2013-tën konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të këtij sporti dhe tashmë atij i jepet shansi i artë për të garuar me një motor shumë kompetitiv sic është Yamaha. Në 2017-tën do të jetë shok skuadre me Valentino Rossin, por kanë mjaftuar vetëm 2 ditë teste në Valencia që bookmakers-at, ata që në lojë vënë paratë të kuptojnë se Vinales është i favorizuar për të lënë pas Rossin në renditjen e përgjithshme të sezonit të ardhshëm. Spanjolli i Yamahas kuotohet me koeficientin 3,5 për të fituar titullin dhe vjen menjëherë pas Marquez që është favoriti i madh për tu shpallur sërish kampion teksa kuotohet me 2,62 nga kompania Bet365. Pas Marquez dhe Vinales vinë Lorenzo që kuotohet me koficientin 5 dhe Rossi me 5,5.