Kryeministri Mustafa në Istog: Qeveria është e përcaktuar që në këtë mandat, zhvillimit ekonomik dhe punësimit t’i jap prioritet kryesor

02.03.2017 09:51:08

Kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga kryetari i Istogut, Haki Rugova, me ministra dhe përfaqësues të ATK-së ka vizituar disa biznese në komunën e Istogut. Në një postim në facebook, kryeministri Mustafa ka përcjellë përshtypjet e tij lidhur me këto vizita dhe të biznesve që ka vizituar lidhur me reformat fiskale. Ai ka shprehur edhe përkushtimin e Qeverisë që drejton për zhvillim ekonomik.

“Së bashku me kryetarin Rugova, ministren Bajrami, ministrin Hoti dhe përfaqësues të ATK-së e Doganave të Kosovës, dje u takuam në Istog me dhjetëra prodhues, ndërmarrës dhe biznesmenë të këtij qyteti, në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për zhvillimin e sektorit privat.

Janë mbresëlënëse pikëpamjet dhe qasja analitike që biznesmenët e Istogut dhe krejt Kosovës kanë për reformat ekonomike dhe fiskale që kemi ndërmarrë deri tani. Vlerësimet e tyre janë shumë inkurajuese, ndërkaq opsionet që ata na dhanë për pakon e re fiskale 2 si dhe avancimin e ambientit të biznesit janë shumë të vlefshme për ne.

Në Istog, vizituam edhe kultivuesit e peshkut “Trofta”, si dhe biznesin prodhues “AGROPRODUKT shpk”, që merret me grumbullimin e bimëve mjekësore dhe aromatike si dhe kultivimin e tyre, 95 % e të cilave eksportohen duke siguruar të ardhura për rreth 20 mijë familje.

Qeveria është e përcaktuar që në këtë mandat, zhvillimit ekonomik dhe punësimit t’i jap prioritet kryesor. Kemi bërë reformat më të thella ekonomike dhe fiskale në 17 vitet e fundit, kemi arritur rritjen më të madhe ekonomike në rajon gjatë dy viteve të fundit, kemi buxhet 2 miliardë euro, ulëm ndjeshëm papunësinë, përmirësuam mirëqenien sociale, Qeveria jonë u shpall më e mira në rajon për përkrahjen e bizneseve. Po ashtu, Heritage Foundation e vendos Kosovën në 20-shin më të mirë në Evropë dhe shumë lartë në rang botëror për ambient të biznesit…

Të gjitha këto i arritëm edhe pse s’na u la asnjë minutë kohë që të merremi krejtësisht me hallet e qytetarëve. Para kaosit, dhunës, kauzave fiktive, ne zgjodhëm punën. Rezultatet po vijnë në shprehje.” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa.