Kryeministri Mustafa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’u japë fund akteve të patolerueshme të Serbisë

02.03.2017 10:45:41

Kryeministri Mustafa ka reaguar pas vendimit të gjykatës në Colmar për të shtyrë vendimin përfundimtar për Ramush Haradinajn.

“Shtyrja e sërishme e vendimit për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është dëshmi e keqpërdorimit të drejtësisë nga Serbia, e cila në emër të informatave shtesë, po zvarrit një proces të ndërtuar mbi akuza të fabrikuara, përmes rrugëve të paligjshme dhe me synime degraduese për tërë popullin e Kosovës.

Përmes këtyre lojërave të ulëta, për përfitime të brendshme politike, Serbia, duke keqpërdorur drejtësinë, po përpiqet të dëmtoj po ashtu imazhin dhe personalitetin e ish–kryeministrit Ramush Haradinaj, të qytetarëve të Kosovës dhe shtetin e Kosovës.

Besojmë se drejtësia franceze nuk do të tolerojë një gjendje të tillë. I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i jap fund njëherë e përgjithmonë këtyre akteve të patolerueshme të Serbisë, ndërkaq, kërkojmë nga institucionet franceze të mundësojnë kthimin e z. Haradinaj në Republikën e Kosovës” – thuhet në reagimin kryeministrit Mustafa.