Lajme shkurt nga futbolli

02.03.2017 12:04:19

Barça, 80 mln Euro për Verrattin:

Gazeta katalanase “Sport” shkruan se Barcelona është gjithmonë e më shumë e interesuar të marrë Marco Verrattin. Mesfushori i Paris Saint-Germain, konsiderohet si Andres Iniesta i ri në kampin blaugrana. Për këtë katalanasit janë të gatshëm t’i ofrojnë rreth 80 milionë Euro klubit parizien, për të fituar ndaj konkurrencës së Juventusit dhe Realit të Madridit. Në fakt kaq është edhe shifra që PSG kërkon për të lënë të lirë Verrattin.

Wolfsburg, Schäfer largohet pas 10 vitesh:

Mbyllet një epokë te Wolfsburg, me mbrojtësin Marcel Schäfer, që largohet nga klubi pas 10 vitesh. Shoqëria gjermane, përmes faqes zyrtare bëri të ditur largimin e 32-vjeçarit nga “Volkswagen Arena”, drejt Amerikës, me Schäfer që firmosi për Tampa Bay Rowdies deri në vitin 2019. Megjithatë ky nuk është një largim përfundimtar i lojtarit nga gjermanët, sepse pasi të përfundojë aventurën amerikane, mbrojtësi do të kthehet te Wolfsburg ku do të këtë një rol drejtuesi.

Szczesny, e ardhmja në pikëpyetje:

E ardhmja e Wojciech Szczesny është gjithmonë e më e paqartë. Portieri i Romës nuk e përjashton një rikthim te Arsenali në fund të sezonit, klub që zotëron kartonin e tij. Në një intervistë të dhënë, polaku deklaroi se Londra është shtëpia e tij, duke lënë të hapur mundësinë e largimit nga verdhekuqtë në muajin Qershor. Megjithatë dhe në rast largimi të Szczesny porta e Romës është e sigurtë me Alisson e Skorupski.

Rikthim te Man. City për Mangala?

Luan me Valencian, por është në pronësi të Manchester City-it, por Eliaquim Mangala ende nuk e ka vendosur se ku do të jetë e ardhmja e tij. Mbrojtësi francez aktualisht ndihet mirë te skuadra spanjolle dhe siç deklaron edhe vet lojtari për momentin synon të paraqitet sa më mirë me spanjollët. 26-vjeçari do të vendosë për të ardhmen vetëm me përfundimin e sezonit aktual. Gjithsesi për Mangalan futbollit asnjëherë nuk i dihet dhe gjithçka mund të ndodhë.