Kryetari i Dragashit në Gjykatë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

19.10.2016 19:12:27
????????????????????????????????????

Paradita e së martës e ka gjetur sërish kryetarin e komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, në sallën e Gjykatës Themelore në Prizren, për t’u përgjigjur për rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Paradita e së martës e ka gjetur sërish kryetarin e komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, në sallën e Gjykatës Themelore në Prizren, për t’u përgjigjur për rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bashkë me Jenuzin, në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë të tjerë komunalë, përderisa një qytetar i Dragashit akuzohet për uzurpim të paligjshëm të pronës komunale.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, kryetari i Dragashit Salim Jenuzi, nuk u deklarua fare, pasi vetëm dorëzoi një kërkesë me shkrim te kryetarja e trupit gjykues, me anë të së cilës kërkoi që aktakuza e Prokurorisë së Shtetit të hedhet poshtë.

Të njëjtën gjë e bënë edhe tre të akuzuarit tjerë pasi pretendonin se aktakuza ndaj tyre nuk është e bazuar në prova të mjaftueshme.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk kishin të angazhuar avokat mbrojtës.

Nga ana tjetër, prokurori i shtetit Sefer Morina, i kundërshtoi kërkesat e të akuzuarve.

“I kundërshtoj kërkesat për hedhjen e aktakuzës të paraqitura nga të akuzuarit, pasiqë aktakuza është e mbështetur në prova të pranueshme dhe se nuk ekzistojnë asnjë nga arsyet të cilat kanë të bëjnë me veprat penale, pasiqë veprat për të cilat akuzohen përbëjnë të gjitha elementet qenësore të saj”, tha prokurori Morina.

Gjykatësja e rastit njoftoi se lidhur me kërkesat e të akuzuarve do të marrë vendim jashtë seancës gjyqësore dhe për këtë palët do të njoftohen me shkrim.

Kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi, së bashku me drejtorin e Urbanizmit në këtë Komunë Behan Haxhihasanin dhe me inspektorin komunal të ndërtimtarisë Vetim Hasanin po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Së bashku me ta, profesori i shkollës së mesme Nexhat Selaj, po akuzohet për veprën penale të uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, kryetari Jenuzi, prej vitit 2009 deri në vitin 2016 në Dragash me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe shkaktimin e dëmit komunës, duke përdorur pozitën e tij si kryetar i ka mundësuar pronarit të furrës “Evropa”, Nexhat Selajt përvetësimin e kësaj patundshmërie.

Selaj, me këtë rast kishte ndërtuar objektin afarist dy katësh pa kompenzim dhe pa vendim të asamblesë komunale në Dragash.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Behan Haxhihasani, në vitin 2011 fillimisht kishte lëshuar aktvendim me të cilin Nexhat Selajt i lejohet ndërtimi i objektit afarist në patundshmërisë shoqërore të evidentuar në emër të komunës së Dragashit.

Ndërsa më vonë, po gjatë këtij viti Haxhihasani kishte lëshuar aktvendim me të cilin vërtetohet se Nexhat Selaj ka bërë uzurpimin arbitrar të tokës në pronë shoqërore, e evidentuar si pronë e komunës së Dragashit.

Inspektorin Komunal të ndërtimit, Vetim Hasanin, aktakuza e prokurorisë e ngarkon se me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, pasi nuk ka ndërmarrë veprimet për ndërprerjen, ndalimin dhe ekzekutimin e punimeve në objektin e ndërtuar nga i akuzuari Nexhat Selaj, duke lejuar kryerjen dhe përfundimin e ndërtimit të objektit dy katësh.

Salim Jenuzi vite më parë ishte akuzuar për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, por në janar të vitit të kaluar u shpall i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.