Serbi 70 vjeçar ka përdhunuar vajzën 17 vjeçe: Dëbohet nga Zvicra pas 30 vitesh qëndrim

19.10.2016 19:35:21

As demenca dhe as mosha e shtyrë nuk e ka shpëtuar nga dëbimi pensionistin perfid i cili para pesë vitesh ka abuzuar seksualisht me një vajzë 17 vjeçare. Edhe pse ai ka jetuar në Zvicër prej 30 vitesh, gjyqtarët e Gjykatës Federale të Zvicrës nuk kanë parë arsye për t`ia zbutur dënimin atij. Kjo sidomos për faktin se 70 vjeçari nuk kishte treguar shenja pendimi

Fillimisht, në vitin 2011 e kishte paguar nxënësen 17 vjeçare me 200 franga për një marrëdhënie seksuale. Pak më vonë ai i kishte kërkuar asaj seks pa të holla. Për ta detyruar ai ushtron presion ndaj saj duke e kërcënuar se do t`i njoftonte prindërit e saj për gjithçka, përcjell albinfo.ch. Kështu, ai e detyroi vajzën edhe tri herë të flejë me të, kundër dëshirës së saj. Ajo ka bërë kallëzim penal pas herës së tretë.

Pensionisti serb i cili nuk e kishte pranuar veprën, ishte dënuar në vitin 2014 nga Gjykata e Qarkut në Cyrih për dhunim seksual të shumëfishtë me dënim pjesërisht me kusht prej tre vjet e gjysmë. 356 ditë ai i ka kaluar në burgun për hetime. Ai është dënuar po ashtu që viktimës t`ia paguajë 10.000 franga si kompensim.

Në bazë të këtij dënimi, Zyra për Migracion e Kantonit të Cyrihut ia ka tërhequr atij lejen e qëndrimit të përhershëm në Zvicër (Viza C).

Të gjitha ankesat e tij kanë shkuar huq, përcjell albinfo.ch.  Zyra Federale e ka arsyetuar dënimin me atë se pensionisti me veprën e tij e ka shkelur rëndë zhvillimin personal dhe seksual të viktimës.