Ku treti  Reciprociteti?!

08.08.2018 15:30:35

Kohëve të fundit edhe në Luginë të Preshevës, janë shtuar zërat politikë rreth idesë së korrigjimit të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, propozim ky, i cili vjen nga presidenti Thaçi, e i cili po gjen mbështetje edhe nga fuqitë e mëdha botërore.

Nexhmedin Saqipi

Liderët politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës e kanë thënë fjalën e tyre në Kuvendin e këshilltarëve shqiptarë, të 14 korrikut 2018, duke e nxjerrë edhe një Deklaratë, me të cilën në emër të Reciprocitetit “kërkojnë nga Parlamenti, Presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, në dialogun final të Brukselit.

Për ta legjitimuar këtë Deklaratë, po të njëjtit liderë institucionalë patën takim veç e veç te presidenti Thaçi, te kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, te kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri dhe te ish kryeministri Sali Berisha.

Po ashtu, këta liderë institucionalë të Luginës së Preshevës, të cilët deri dje të mllefosur dhe të acaruar, pse Lugina e tyre nuk po gjendet në procesin e dialogut të Brukselit dhe forumeve të tjera ndërkombëtare, harrojnë se kanë autorizuar institucionet e Kosovës, t’i mbështesin për Reciprocitet, duke dhënë propozime të tjera, që bien ndesh me atë që e kanë votuar jo më larg se një muaj.

Ironia më e madhe nga deklaratat e këtyre liderëve nga provinca, është se ata e kundërshtojnë korrigjimin e kufijve, a në anën tjetër nuk e mohojnë Referendumin e vitit 1992, për bashkim me Kosovën, të cilin e kanë përdorur qe 26 vjet vetëm nëpër zgjedhjet lokale, parlamentare dhe ato nacionale.

Me çfarë të drejte morale, këta liderë provincialë e kundërshtojnë idenë e presidentit Thaçi, për korrigjim kufijsh në mes Prishtinës dhe Beogradit, në prani të ndërkombëtarëve, kur ata gjatë rrugëtimit zyrtar për Kosovë, kalojnë nëpër kufirin administrativ te Dheu i Bardhë, të cilin Serbia nuk e njeh si kufi shtetëror, pa u ndalur në kontrollimet rutinore.

Këta liderë lokalë kanë frikë nga korrigjimi i kufijve, ngase nuk po i ndjejnë dhe nuk po i prekin pasojat kufitare, nëpër të cilat po kalojnë qytetarët shqiptarë, votuesit e tyre, duke pritur me orë të tëra për të kaluar këndej e matanë Kosovës.

Këta kufij andej e këndej Luginës, të ngritura mbi tokat e baballarëve shqiptarë, vijën edhe më të zorshëm në rrugët alternative të pikave të kalimit në Dobrosin dhe Breznicë, të cilat Serbia i llogaritë si kalime ilegale.

Paramendoni, nëpër këto pika kalimi, që ndajnë fshatrat shqiptare Breznicën nga Karaçeva e Dobrosinin nga Pograxha, vendbanime të pastra etnike, të cilat kufizohen mes dy shtetesh të pavarura me kufij artificialë e të cilat prej vitesh paraqesin pengesat kryesore për qarkullim të lirë, duke ua rrezikuar edhe jetën për ekzistencë.

Këto janë pasojat e kufijve, me kuptimin e dikurshëm klasik, nga të cilat pësojnë banorët e këtyre zonave kufitare, por jo edhe liderët e tyre institucionalë, të cilët udhëtojnë zyrtarisht me makina luksoze, pa e ndier vapën klimatike dhe politike.

Nuk përfundon vetëm me kaq, çmenduria e liderëve tanë lokalë, ata dukë vënë syze gjatë kalimit të këtyre kufijve artificialë, që kërkojnë korrigjim dhe mënjanim, shkojnë te Lutfi Haziri, kryetar komune në Gjilan, për të marrë ndonjë këshillë politike rreth propozimit të presidentit Thaçi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky farë Lutfi Haziri, Haxhi baba i Anamoravës, i njohur me sloganin “Luta e Rezoluta”, për atë Rezolutën e para disa viteve të aprovuar në Parlamentin e Kosovës për Luginën e Preshevës, e që ishte vet kumbara e saj, kërkon bashkimin me Luginën pa korrigjimin e kufijve.

Po zyra e tij e hapur në Gjilan, në emër të kësaj Rezolute, për qytetarët shqiptarë të Malësisë së Bujanocit, nuk ka bërë asnjë hap për integrimin e tyre as në Komunën e tij dhe as në Luginë.

Haxhi Luta, i këshillon liderët e Luginës, se ideja e korrigjimit të kufijve qenka me rrezik, të cenimit të tërësisë territoriale të Kosovës Lindore, duke i ngushëlluar ata që në shtator do të ketë zgjedhje të reja. Pra, për Haxhi Lutën më me rëndësi janë zgjedhjet  e jashtëzakonshme se sa procesi i zgjidhjes së statusit politik të shqiptarëve të Luginës.

Po kështu mendon edhe lideri i Vetëvendosjes së copëtuar Albin Kurdi dhe doktori i pensionuar Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë, atyre po i pengon propozimi i presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve, e të cilët kërkojnë nga shtatori aferën e rrugëve me protesta për t’i bllokuar procesin e zgjidhjes së problemeve shekullore mes Prishtinës dhe Beogradit, përmes dialogut final të Brukselit.

Tentimi i këtyre lëvizjeve të çakorduara të këtyre grupeve politike të interesave, me zgjedhje të jashtëzakonshme dhe me protesta në Kosovë, me qëllim të minimizimit të propozimit të presidentit Thaçi, për bashkimin e Luginës me Kosovën, paraqesin një “hopa” pa e kërcyer gardhin, apo sipas asaj që thuhet në Tërnocin e Madh “Mbas pazarit të Mulla Shaqës!”.

Këta zëra kritikë me ngjyrime politike, që vijë nga disa liderë, të cilët vuajnë nga kompleksi për të qenë “bajraktarë”, mjerisht,  janë të shurdhër, të zbehtë si ata vetë, që  “nuk shohin më larg se hunda e tyre” dhe se asnjëherë nuk u pret “sëpata në një vend”, prandaj ata fluturojnë nëpër opsione si “rosat në mjegull”, apo si ajo loja e Strucit me kokën në zall!.

 

(Autori është themelues i Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, drejtues i Portalit “Jetapress”  dhe Myfti për Luginën e Preshevës)