Kujtohen të vrarët e 11 shtatorit në Pentagon

09.09.2016 17:46:54

Pesëmbëdhjetë vjet më parë u sulmua Departamenti amerikan i Mbrojtjes. Fluturimi numër 77 i American Airlines u rrëmbye dhe u përplas mbi Pentagonin, duke vrarë të gjithë pasagjerët në bord dhe 125 punonjës. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carla Babb, bisedoi me dy persona që bartin përgjithnjë pasojat e sulmit.

“Kam gjithnjë ndjesinë që kjo është tokë e shenjtë. Ndodhesha këtu më 11 shtator…”

“Për dikë që mbijetoi, ky ishte një moment përcaktues në jetën e tij”, thotë gazetari Jamie Mcintyre.

“Në Pentagon u vranë 184 persona, 125 në godinë dhe 59 në avion. Kunati im, oficer policie, u fut në godinë dhe na tha të përgatiteshim për më të keqen, pasi nuk gjeti njerëz të bllokuar dhe nuk po dilnin njerëz jashtë as 4-5 orë pas sulmit.”

“Kur e shikoje të shembej këtë ndërtesë që i ngjason një fortese dhe kur kupton numrin e njerëzve që vdiqën brenda saj dhe në avion, atë ditë kuptoje se bota kishte ndryshuar.”

“Vëllai im i vogël u vra në Pentagon më 11 shtator. Vij këtu për të nderuar kujtimin e tij dhe të të gjithë njerëzve që humbën jetën, në mënyrë që të mos i harrojmë ata dhe atë që ndodhi.”

 

“Kur mbërrin fillimisht, shikon datën 11 shtator 2001 dhe kohën e sulmit, 09:37 e mëngjesit.”

“Në stolat e parë vëren vite lindjeje si 1998. Fillon të kuptosh se kjo ishte një vajzë e vogël tre-vjeçare, Dana Falkenberg, e cila udhëtonte bashkë me prindërit dhe vdiq në avion. Stoli i saj orientohet në drejtim të Pentagonit dhe ka në sfond qiellin, që simbolizon se Dana vdiq në fluturimin numër 77.”

“Ky është stoli i tim vëllai, Dave. Është në vijën e vitit 1961, viti i lindjes së tij. Kur lexoj emrin e tij, në sfond duket Pentagoni, duke treguar pra se ai vdiq brenda në ndërtesë.”

“Stolat janë vendosur edhe në përputhje me trajektoren e fluturimit të avionit duke të orientuar se ku u përplas. Duke qenë se 11 shtatori ishte një ditë si asnjë tjetër, projektuesit donin të krijonin një vend të pashoq për familjarët e viktimave dhe për vizitorët.”

Fondacioni për Memorialin e 11 shtatorit në Pentagon po mbledh fonde edhe për një qendër vizitorësh që do të tregojë më tej historitë e njerëzve që humbën jetën.