Lamtumirë Demir Hyskja!

07.08.2016 20:02:02

Demir Hyskja, një ndër aktorët më të mirë elitarë shqiptarë, i nderuar edhe me titullin “Artist i Popullit”, ndërroi jetë ditën e djeshme në banesën e tij në Elbasan, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Me një timbër të rrallë burrëror, natyrshmëri fantastike në lojë, inteligjencë unike në realizimin e roleve, Demir Huskja ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë e aktrimit shqiptar.

Edhe pse u njoh përgjithësisht si aktor i roleve pozitive, ai pati gjatë karrierës së tij dhe tre role negative, por që çuditërisht me shije simpatike tek publiku, siç ishin Ibrahim Beu tek “Pylli i lirisë”, Mytesarifi i Durrësit tek “Nëntori i Dytë”, si dhe Baki Branica tek “Dhe vjen një ditë”.

Por publiku shqiptar, e ka parë gjithnjë figurën e aktorit si të lidhur pas batutave pikante. Dhe Demir Hyskja patjetër që la dhe batuta.

Dy janë më të njohura e tij: “Me hile zoti Lam!” tek “Pylli i lirisë”, ku pas humbjes në tavëll i ankohej Lamit se ai me patjetër duhej të bënte hile derisa ia arrinte të mundte një komandant xhandarmërie si ai; si dhe “Në popull i kemi rrënjët o Mali, më thotë se herë shoku Shpati”, tek filmi “Në fillim të verës”, në rolin e një udhëheqësi komunist qarkori, i cili njihej dhe më të “parin e partisë”, shokun Shpati.

Por, “Me hile zoti Lam!” mbetet njëshi i batutës në rolet e tij./TeSheshi