LDK bën zyrtare shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në...

LDK bën zyrtare shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat e saj në parti

20.06.2020 21:35:58

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka njoftuar se ka shkarkuar Vjosa Osmanin nga pozita e saj si nënkryetare e partisë.

Tani pozitën e saj e zë kryeministri Avdullah Hoti.

Përmes një njoftimi nga kjo parti thuhet se Osmani u shkarkua me 70 vota pro nga 95 sa kishin votuar në Këshillin e Përgjithshëm. 16 ishin shprehur kundër e nëntë kishin abstenuar. 28 nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në votim.

Siç bën të ditur LDK, për propozimin që Avdullah Hoti të jetë nënkryetar, kanë votuar 99 anëtarë, prej tyre 92 ishin shprehur pro.

Osmani është liruar edhe nga roli i saj si anëtare e Kryesisë së partisë.

“Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës VENDOSI që: z. Avdullah Hoti të zgjedhet nënkryetar i LDK-së; znj. Vjosa Osmani të lirohet nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe anëtares së Kryesisë”, ka thënë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në një letër dërguar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.