LDK dhe VV bojktojnë takimin e partive politike për dialogun Kosovë-Serbi

04.07.2018 18:37:39

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje e kanë bojkotuar takimin e organizuar nga Instituti “Grupi Ballkanik për Politika”, në të cilën janë ftuar liderë dhe përfaqësues të subjekteve politike për të diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili është parë në ambientet ku po mbahet takimi, ka treguar arsyet pse partia e tij po e bojkoton këtë debat.

“Mos-serioziteti, papërgjegjshmëria dhe sjellja e tillë politike karshi një procesi kaq të rëndësishëm neve na bën të pamundshëm me marrë pjesë në debate të tilla. LDK e distancon veten politikisht përderisa kjo çështje nuk debatohet në Kuvend. Mekanizmi dhe mjeti i vetëm është dialogu, duhet t’i përmbahemi këtij mjeti por duhet të sillemi përgjegjshëm. Edhe sot u pa mënyra e përfaqësimit, mënyra se si e injorojnë opozitën”, tha Haziri, pasi bashkë me Bajram Gecajn kanë dalur nga salla ku po mbahet takimi, raporton Telegrafi.

“Nuk kemi hapësirë me vazhdu dhe natyrisht ky proces duhet të shtyhet aty ku e ka vendin. Deri atëherë presim çfarë do të sjellë ky takim. Nuk jemi të interesuar me dëgju vetëm deklarime politike. Vetëm pozicione deklarative për konsensus, përderisa gjithçka po punohet me rrënu konsensusin edhe me përjashtu konsensusin si mjet politik. Kjo e sotmja tregon qartë se PDK-ja dhe AAK-ja si dy parti kryesore që qeverisin dhe bartin institucionet duhet me ndryshu mënyrën dhe sjelljen karshi opozitës dhe LDK-së si parti”, tha Haziri.

Ndërsa, përfaqësuesi i LDK-së ishte në ambientet ku po mbahet takimi dhe tregoi arsyet se pse po e bojkotojnë atë,  Lëvizja Vetëvendosje përmes një kumtese ka sqaruar se pse nuk është pjesë e takimit.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! vendosi të mos marrë pjesë në “tryezën për dialogun politik” që është planifikuar të mbahet sot nga organizata Balkan Research Policy Group (BRPG) si “takim i liderëve”. Tryezat e tilla janë shpeshtuar shumë kohëve te fundit dhe duhet të reduktohen . Tryezat e tilla bëhen edhe më problematike kur formati i propozuar dhe organogrami për diskutim në tryezë përputhet me formatet e zyrës së Presidencës që drejtohet nga një person i diskredituar dhe i deligjitimuar si z.Hashim Thaçi. Ajo që na duhet është rikthimi i çështjes në Kuvend. Fokusimi shumë i madh i qeveritarëve te tryezat e shoqërisë civile për këtë çështje ndodh për faktin se Qeverisë i mungon shumica në Kuvend. Kurse për opozitën si dhe për shtetin e Kosovës është jetike që diskutimi të ndodh aty ku është përfaqësimi i zërit të qytetareve: në Kuvend. Kuvendi i Kosovës duhet t’ia tregojë vijat e kuqe Presidentit Thaçi dhe Serbisë”, thuhet në kumtesën e VV-së.

Liderët e partive të tjera kanë nisur takimin, ku PDK po përfaqësohet nga Enver Hoxhaj, Nisma Socialdemokrate me Bilall Sherifin dhe PSD-ja nga Shpend Ahmeti.

Tema kryesore që do të diskutohet në këtë takim është në lidhje me formimin e një ekipi të unitetit për dialog me Serbinë. Në këtë tryezë do të diskutohet se çka do të bëjnë partitë politike kryesore për të formuar këtë ekip.