LDK në Suedi: Misioni i Enver Malokut si udhëheqës i QIK ka rolin kyq dhe historik të senzibilizimit të çështjes së Kosovës në gjithë botën

11.01.2019 19:41:19

Sot bëhen 20 vjet nga vrasja e Enver Malokut, demokratit, gazetarit, publicistit, shkrimtarit, pendës dhe mendjes së informimit të Kosovës.

Enver Maloku u vu në shërbim të Lirisë Pavarësisë dhe Demokracisë së Kosovës dhe falë punës së tij, nëpërmjet të Informatorit të përditshëm të Qendrës për Informim të Kosovës, të gjitha qendrat e vendosjes në botë u njoftuan dhe e kuptuan të vërtetën për situatën në Kosovës.

Misioni i Enver Malokut si udhëheqës i QIK ka rolin kyq dhe historik të senzibilizimit të çështjes së Kosovës në gjithë botën. Bashkëpunimi i Enver Malokut me Presidentin Rugova, besnikëria e tij, guximi dhe profesionalizmi si udhëheqës i QIK-ut, u bënë suplement i rëndësishëm që qeveritë perëndimore demokratike në botë të kenë informata të argumentuara dhe të besueshme për Kosovën dhe ti hapin dyert për të gjithë veprimtarët të cilët u angazhuan për senzibilizimin e çështjes së Kosovës në botë.  

 Bashkëpunimi i Enver Malokut me Komisionet për Informim të LDK-së në diasporë, nëpërmes të cilëve është shpërndarë Informatori ditor i QIK-ut ishte mbi të gjitha njerëzor, modest, vëllazëror dhe jashtëzakonisht profesional.

Komisioni për Iformim të LDK në Suedi, me Reshat Hoxhën udhëheqës, kishim nderin dhe privilegjin që të jemi bashkëpuntorë të Enver Malokut, gjeneralit të informimit të Kosovës.

Kemi shumë kujtime nga bashkëpunimi ynë me Enver Malokun, por kujtimi të cilin nuk do ta harrojmë asnjëherë është kur Enveri në bisedë me Reshatin i tha : ” Reshat ne po e përcjellim punën tuaj dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur sepse po e bëni një punë të madhe duke informuar opinjonin suedez. Po na vijnë informata kërcënuese prej Beogradit se është një qendër e fuqishme informative në Stokholm.”  Më vonë na u tha se gazeta ”Borba” e kishte bërë atë kërcënim.

Enver Maloku u vra disa muaj para Lirisë së Kosovës, vetëm disa muaj para ardhjes së shpëtimtarëve tanë, gjë për të cilën Enver Maloku punoi shumë. Kujt i pengoi që Enver Maloku ta përjetojë ardhjen e lirisë? Kujt i pengoi që Enver Maloku ti përjetojë frytet e punës së tij?

Enever Malokun e vranë, por frymëzimin për vazhdimin e veprës së tij vetëm sa e forcuan!

Drejtësia vonoi mjaftë por gjithsesi se po vie koha që ajo të zbardhë vrasjen e Enver Malokut. Këtë e pret familja e tij e cila qe 20 vite jetoi në ankth e dhimbje. Këtë e pret Kosova që të fillojë të frymojë lirshëm…

Kryesia e Degës së LDK-së në Suedi, familjes së Enver Malokut i shprehim nderime dhe përshëndetje të përzemërta.

Shpirti i tij bëftë dritë!

Kryesia e Degës së LDK-së në Suedi

Stokholm, 11.01.2019