Letër e hapur zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së!

17.07.2018 19:06:25

Pse të detyrohet Kosova që të ulet në tavolinën e bisedimeve të pabarabarta në Bruksel me Serbinë?

Shkruan: Florim Zeqa

Duke përcjellë me vëmendje zhvillimet rreth përmbylljes së fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, ne qytetarët e Kosovës ndjehemi tepër të shqetësuar për fatin tonë pas përmbylljes së këtij dialogu të pabarabartë dhe vrastarë për Republikën e Kosovës!

E quajta të pabarabartë për faktin se, nga fillimi ishte i tillë. Detyrimi i uljes në tavolinën e bisedimeve viktimat me xhelatët e tyre është pak më tepër se presion politik, është nënshtrim, tallje dhe nënçmim në përmasa vrastare për Republikën e Kosovës!

Populli i Kosovës përjetësisht i është mirënjohës ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare, në veqanti SHBA-ve për intervenimin ushtarak për çlirimin e vendit dhe shpëtimin nga shfarosja dhe dëbimi gjenocidial i Serbisë.

Njohja e shtetit tonë në kufijtë ekzistues nga ish federata jugosllave 10 vite më parë nga shtetet e BE-së, SHBA-së dhe shteteve gjithandej globit, ishte e arritur dhe ngjarje kulmore për shqiptarët e vuajtur ndër shekuj.

“Pakoja e Ahtisarit”, në bazë të së cilës është shpallur pavarësia e Kosovës, edhe pse nuk ishte zgjidhja për të cilin ishte luftuar, por meqë ishte ofruar si zgjidhje përfundimtare për mbylljen e një kapitulli të luftërave dhe vuajtjeve shekullore, shqiptarët e Kosovës e pranuan si kompromis të dhimbshëm për vendin.

Në “Pakon e Ahtisarit”, nuk ka qënë i paraparë dialogu dhe as marrëveshje tjera shtesë me Serbinë. Mirëpo, këta të fundit vazhduan me “Ahtisari plus”, që ndryshe i bie “Pavarësi minus” për shqiptarët,…ide kjo e Millosheviqit për Kosovën, e cila ju kishte ofruar presidentit historik Ibrahim Rugova; “Më pak pavarësi e më shumë autonomi për Kosovën”, të cilën e kishte refuzuar kategorikisht presidenti ynë.

Thënë ndryshe, Dialogu i Brukselit dhe marrëveshje e reja nuk kanë qenë të parapara me Planin e Ahtisarit.

Mohimi i forcës mbrojtëse

Fillimi i bisedimeve të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, pa e njohur kjo e fundit Republikën e Kosovës, përveqse befasi, ishte një hap i madh prapa!

Për të qënë bisedimet e barabarta dhe suksesi i atyre bisedime i garantuar, paraprakisht do duhej detyruar Serbinë të njoh shtetin e Kosovës, si pikënisje e çdo gjëje.

Të detyrosh shtetin e Kosovës të dialogoj me Serbinë, kur kjo e fundit në preambulen e kushtetutës së saj e mbanë Kosovën akoma si pjesë iuntegrale të saj, është sa tendencioze po aq qëllimkeqe!

Të detyrosh shtetin e njohur ndërkombtarisht të futet në bisedime me armikun e saj shekullor, kur ajo, në vend të kërkim faljes, kërcënon me rikthim të sërishëm në truallin e saj, është abuzim me të drejtën ndërkombëtare.

Të detyrosh Republikën e Kosovës të futet në bisedime të pabarabarta jo si shtet i pavarur por si subjektivitet nën Rezolutën 1244 të KS të OKB, është shkelje e të gjitha normave demokratike, shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Shkuarja tutje me bisedimet e pabarta në Bruksel, ku Serbia hapur e shfaq kërkesën e saj për gllabërim të pjesës veriore të Kosovës, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet bazike të zyrtarëve të lartë euro-perëndimor për mos ndryshim të kufijëve në Ballkan, ide kjo që bie ndesh edhe me “Pakon e Ahtisarit”, mbi të cilën është  njohur dhe pranuar Republika e Kosovës shtet sovran dhe i pavarur.

Të gjitha këto shkelje dhe një mori shkeljesh të tjera përgjatë 20 viteve të prezencës ndërkombëtare në Kosovës, janë “SUI GENERIS” dhe precedent i paparë dhe padëgjuar deri më tani në botën demokratike.

Kosovës, shtetit me prezencën më të fuqishme politike dhe ushtarake ndërkombëtare i mohohet formimi i forcës mbrojtëse, gjegjësisht ushtrisë së saj nën pretekstin se u dashka pajtimi i 2-3 % të pakicës serbe kundrejt 95 % të popullatës shqiptare në vend!

BE-ja, shqiptarët duhet t’i trajtojë ashtu siç janë, popull autokton në trojet e veta stërgjyshore

Dhënja  e karakterit “multietnik” të shtetit më etnik në botë është mohim i skajshëm i realitetit dhe ndrydhje e vullnetit të popullatës shumicë në Kosovë.

Sikurse që e kuptojmë qëllimin e mirë të bashkësisë ndërkombëtare për arritjen e një paqe të qëndrueshme në Ballkan, akoma më mirë i kuptojmë ambiciet e Serbisë për rikthim në marsin e vitit 1999.

Nëse vërtet bashkësia ndërkombëtare dëshiron të arrijë paqe të qëndrueshme në Ballkan, atëherë sa më parë duhet të ndërroj çasjen ndaj çështjes shqiptare në Ballkan.

BE-ja, shqiptarët duhet t’i trajtojë ashtu siq janë, popull autokton në trojet e veta stërgjyshore. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë zhvilluar luftëra për pushtime territoresh të huaja, por për mbrojtjen e tyre nga pushtuesit e ndryshëm.

Vetëm nga viti 1877/78 e deri më sot shqiptarët kanë pësuar tkurrje enorme të territoreve, vrasje dhe dëbime masive nga trojet e tyre. A për ilustrim po ua permendi sa fakte si më poshtë;

“Vetem përgjatë viteve vitet 1877/78 Serbia gllabëroi dhunshëm sa  2/3 e territorit të sotëm të Kosovës. Ishte ushtria e Millosh Obrenoviqit ajo e cila dëboi dhunshëm nga vatrat e veta mbi 700 fshatra e 7 qytete shqiptare, me ç’rast mbi 500 mijë shqitarë janë vrarë dhe shpërngulur për Turqi e vende të tjera më të largëta.

“Nish-i” i sotëm ishte pika kufitare numër 1 që ndante tokat shqiptare me ato sllave. Jo vetëm “Nishi-i”, por edhe qytete dhe fshatra tjera, sot e asaj dite mbajnë emrat e dikurshëm të para 140 viteve, si: Kastrati, Drenova, Rashica, Tullari, Rafuna, Dukati, Leci, etj.

Janë këto 7 vendbanime nga 700 fshatra të pastra shqiptare të para 140 viteve  më parë, që sot nuk banohen me shqiptarë, të pushtuara nga kolonët serb”.

Për të zbërthyer dhunën sistematike, helmimet e nxënësve dhe stundentëve, burgosjet dhe torturat, dhunimet, vrasjet dhe dëbimet, shkatërrimet dhe plaçkitjet e pronave të shqiptarëve vetëm në kohën e Millosheviqit, jo një shkrim e një libër, do duhen enciklopedi librash për të përfshirë gjitha ato që kanë përjetuar shqiptarët nën sundimin serbosllav.

Andaj e ftojë BE-në, SHBA-në, KS të OKB-së dhe të gjithë organizmat relevant ndërkombëtar, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që e gëzojnë paqen dhe lirinë në vendet e tyre, që të angazhohen edhe për liritë dhe të drejtat universale që i takojnë vendit dhe popullit tim të shumëvuajtur gjatë historisë mijëravjeçare.

Në emrin tim dhe mbarë popullit paqedashës shqiptarë, ju lutem që të ushtroni ndikimin tuaj në zgjidhjen e drejt dhe të qëndrueshme të çështjes shqiptare në Ballkan, në veqanti të problemit të Koosvës.

Ngase çdo zgjidhje e njëanshme do të thotë përseritje e skenave të kaluara në rajonin e Ballkanit.

E ftojë BE-në dhe SHBA-në, që të kërkojnë nga personeli i tyre diplomatik i instaluar në Kosovë, të mos përkrahin dhe përdorin liderët e korruptuar dhe inkriminuar kosovarë, por t’i luftojnë me të gjitha ligjet vendore dhe ndërkombëtare në fuqi.

Vetëm luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të ishte garanci e fuqishme për ardhmëri të sigurtë për të gjithë në Kosovë.

Të ndalen menjëherë shantazhet dhe obstruksionet që po i bëhen shtetit të Kosovës nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian

Ardhja në pushtet e njerëzve kompetent për fushat përkatëse, me etikë profesionale dhe të ndergjegjshem që i shërbejnë me nder e përgjegjësi popullit e shoqërisë kosovare, do të ishte ndihmesë e madhe edhe për ju, që për dy dekada investuat miliarda e miliarda për një paqe të “monitoruar”, e cila me largimin e juaj nga Kosova do të shndërrohet në një luftë shkatërrimtare përtej kufijëve ballkanikë e evropianë!

Andaj vetëm zgjidhja e drejtë dhe përfundimtare e çështjes shqiptare në Ballkan, është garanci për paqe të qëndrueshme në këtë pjesë të kontinetit evropian.

Që kjo të mos ndodh, kërkojë të ndalen menjëherë shantazhet dhe obstruksionet që po i bëhen shtetit të Kosovës nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Ju këputën 8200 hektarë tokë e Kosovës në emër të liberalizimit të vizave i cili nuk po ndodh edhe pas katër muaj të ratifikimit në Kuvend, e drejtë kjo universale që i takon çdo populli paqëndashës në shekullin 21.

Pse të penalizohet akoma më tepër populli më pro-evropian dhe më pro-perëndimor për interesa grabitçare të Serbisë në Ballkan!?

Pse të detyrohet edhe më tutje Kosova që të ulet në tavolinën e bisedimeve të pabarabarta në Bruksel me Serbinë, kur kjo e fundit nuk e ka përbushur asnjë kriter dhe asnjë marrëveshje të arritur deri më tani!?

Nuk e besoj, se është në interesin e BE-së dhe SHBA-së, mbetja hapur e një plage të vjetër në Ballkan, si vatër krize e përhershme në këtë pjesë të Bashkimit Evropian!?

Vallë, pse u dashka të dëmtohet akoma më tepër një popull paqedashësh që jeton prej mileniumesh në territorin e vet!?

Shqiptarët autokton në trojet e veta, nuk kërkojnë as më shumë dhe as më pak se sa ruajtjen e territoreve dhe rikthimin e territoreve të aneksuara me dhunë një shekull më parë, të legalizuara në Konferencën e Londrës dhe Vërsajes!

Familja është një shtet në miniaturë. andaj sikurse bashkimi familjarë që është i garantaur me ligjet ndërkombëtare, ashtu duhet të ndihmohet edhe bashkmi i trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm, si e drejtë ndërkombëtare dhe si garanci për paqe të qëndrushme në Ballkan dhe stabilitetit afatëgjatë të  Bashkimit Evropian.