Liberalizimi i vizave peng i pazareve të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin

30.08.2018 12:30:53

Nga Rexhep Kastrati

Miratimi i raportit të Tanja Fajonit, raportueses për Kosovën në Komitetin LIBE është një ngjarje e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, të cilët po presin që sa vite për të lëvizur të lirë në zonën Shengen.

Kanë kaluar dy vite kur komisioneri Avramopulos kishte paraqitur një raport pozitiv për liberalzimin e vizave për Kosovën, dhe u deshën po aq vite për të ardhur deri te ky moment.

Dy kanë qenë kriteret që kishin mbetur për liberalzimin e vizave: ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.

Këto dy kritere, në nivelin që janë realizuar tash, kanë mundur të realizohen qysh para dy vitesh, po edhe më herët, pasi që ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi ka mundur të miratohet nga shumica kuvendore, e cila nominalisht kishte afërisht 90 kuvendarë, kurse luftimi i krimit dhe korrusionit ka pësuar rënie, krahasuar me kohën kur qeverinë e drejtonte LDK.

Ndërkaq nuk ndodhi ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, jo për faj të opozitës së djeshme, por për shkak të PDK-së dhe të veglave kondomë brenda Grupit Kuvendor të LDK-së, që zbatonin dhe zbatojnë axhendat e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit. Sikur Grupi Kuvendor i LDK-së të ishte treguar unik si në rastin e votimit të Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi gjatë kësaj legjislature, Kadri veselit do i ishte hequr alibia për të bërë grushtshtet institucional dhe për të rrëzuar qeverinë “Mustafa”. Qëndrueshmëria politike dhe institucionale, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi më 2016, apo edhe më herët, më 2015, do të kishte shtyrë shumë përpara dhe do të kishte mundësuar liberalzimin më të hershëm të vizave për qytetarët e Kosovës.

Zhvillimet e mëvonshme, konfirmuan se protestat e dhunshme në Kosovë, bllokimi i Kuvendit, angazhimet anarkiste deri në kufijtë e terrorizmit, ishin bërë për t’u shtyrë liberalzimi i vizave për Kosovën dhe avancimi i procesit të integrimit të Kosovës në BE, dhe për t’iu hapur rruga legalizimit të pazareve të rënda të bëra në dëm të Kosovës.

Kriteret e vëna nga BE, ndërkaq, dolën të kenë qenë vetëm pretekst për të shtyrë sa më shumë liberalzimin e vizave për Kosovën, pasi që mu në prag të miratimit të raportit të tanja fajonit nga Komiteti LIBE, ndodhën dy ngjarje të dëmshme në aspektin e sundimit të ligjit dhe të luftimit të krimit dhe të korrupsionit: ndërhrja flagrante dhe e hapur e Ramush Haradinajt në punën e Prokurorisë, si dhe devalvimi i procesit gjyqësor ndaj Azem Sylës, e që ishte paraqitur me bujë.

Dhe pikërisht Komiteti i LIBE nuk mori parasysh këto, por pa asnjë debat për të qenë miratoi raportin e Tanja Fajonit për Kosovën.

Është e qartë se  miratimi i raportit të Tanja Fajonit për Kosovën ka ndodhur pas avancimit të pazareve të Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqit në dëm të Kosovës, kurse votimi 30 me 10 në favor të miratimit të atij raporti, paraqet edhe gjendjen dhe pozicionet e anëtarëve të BE-së lidhur me ndarjen, shkëmbimin apo korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pra, miratimi i këtij raporti në këtë kohë, është karrota që është dhënë për Hashim Thaçin për pazaret që ka bërë, por edhe paralajmërimi se procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë i ndërlidhur me procesin e mëtejmë të konkretizimit dhe të realizimittë pazareve të hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiqin në dëm të Kosovës.

Me këtë rast bëhet fjalë për dokumentin themeltar për Asociacionin që e projekton atë si një “Republika Srpska” në Kosovë, si dhe me Marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst, duhet thënë se miratimi i raportit të Tanja Fajonit në Komitetin LIBE ka ndodhur tek pas paraqitjes së dokumentit themeltar për Asociacionin, i cili në kundërhstim edhe me marrëveshjen e Brukselit, është dërguar në Bruksel, e jo në qeverinë e Kosovës, dhe është në fazë shqyrtimi dhe miratimi nga palët atje, dhe deri në shqyrtimin e raportit për Kosovën në parlamentin Evropian, do të bëhet trysni që të miratohet si i tillë, pra si e kanë hartuar serbët në Beograd.

Deklarata të tilla se deri në nëntor do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq, forcojnë edhe më tej bindjen se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë para një marrëveshjeje të tillë, e që do të thotë se Kosova do të mund të paguajë shumë më tepër sesa një demarkacion me Malin e Zi.

Megjithatë, nuk janë vetëm këto aspektet e çështjes së liberalzimit të vizave për Kosovën, sepse çka nëse do të ketë ndarje të Kosovës, apo të ashtuquajtur shkëmbim apo korrigjim të kufijve të saj me Serbinë?

Në rast të ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve apo korrigjim të kufijve, pra në rast të rrënimit të parimeve të Baditerit mbi të cilët është realizuar procesi i gjertanishëm i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, dhe kur e drejta për t’u bashkuar pjesë të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia me shtet të tjera, nuk do të kishte më asnjë arsye se përse Kosova, apo surrogati i saj që do të mbetej, do të vazhdonte të ishte shtet i pavarur, e të mos bashkohej me shtetin shqiptar.

Në një rast të tillë, nuk do të kishte fare nevojë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi që do të përfitonin automatikisht nga liberalizimi i vizave për shtetin shqiptar.