Liderët: Votimi në LIBE një hap më afër liberalizimit të vizave

30.08.2018 10:59:53

Liderët e vendit kanë shprehur mirënjohje ndaj eurodeputetëve që votuan pro lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në Komitetin për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE).

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se hapi i dytë drejt  heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses.

Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Pas plotësimit të të gjitha kushteve për liberalizim, hapi i dytë drejt heqjes së regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës u mbyll me sukses. Parlamenti Evropian, respektivisht Komiteti LIBE për të Drejta Civile, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme, aprovoi sot mandatin për hapjen e negociatave me Komisionin Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Kosova ka bërë punë të madhe, veçanërisht në fuqizimin e sundimit të ligjit, andaj është e sigurt se do të përmbyllet me sukses i tërë procesi, duke u mundësuar qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së. Mirënjohës për angazhimin e madh dhe të vazhdueshëm të eurodeputetes dhe raportueses për liberalizim të vizave në Parlamentin Evropian, Tanjo Fajon, dhe të gjithë euro-deputetëve tjerë që votuan pro lëvizjes së lirë për kosovarët”, ka thënë Haradinaj.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka vlerësuar si lajm pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj, vendimin e Komisionit LIBE pro liberalizimit të vizave.

Veseli ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe pret që brenda këtij viti qytetarët të lëvizin pa viza në Zonën Schengen.

“Komisioni LIBE ka votuar pro liberalizimit të vizave. Ky është një lajm i merituar për qytetarët dhe një hap drejt vendimit final nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe ne presim që brenda këtij viti qytetarët tanë të lëvizin pa viza në Zonën Schengen”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Për këtë është deklaruar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli duke uruar qytetarët e Kosovës për këtë hap drejt liberalizimit të vizave.

“Urime Kosovë ! Edhe një hap më afër. Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka votuar pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Mbetet edhe sfida e fundit, do të ia dalim”, ka shkruar Pacolli.

Ndryshe, Komiteti për Liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian ka votuar sot pro liberalizimit të vizave për Kosovën. Me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime,  Komisioni LIBE ka miratuar raportin e Komisionit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.