Lideri opozitar rus u arrestua pak para demonstratës antikorrupsion

12.06.2017 15:36:18
Aktivisti kundër korrupsionit dhe lideri opozitar rus, Aleksei Navalny, është arrtestuar sot para banesës së tij në Moskë, pak kohë para fillimit të protestës masive antikorrupsion, të cilin e organizon ai.

Yulia Navalnya, bashkëshortja e Navalnyt, ka shkruar në rrjetin Twitter, se bashkëshorti i saj ka kërkuar nga mbështetësit për ta vazhduar mbajtjen e demonstratës, ashtu siç ishte planifikuar.

Burime në Fondacionin Antikorrupsion të Navalnyt kanë raportuar se qasja në Internet dhe rryma elektrike në zyrat e këtij fondacioni, janë ndërprerë.

Leonid Volkov, ndihmësi më i afërt i zotit Navalny, tha në kanalin YouTube të Navalnyt, se rryma ishte ndërprerë në edhe në studion e tyre.

Demonstrata në Moskë planifikohej të fillonte në orën 14 sipas kohës lokale. Demonstrata të ngjashme janë mbajtur ose planifikohen të mbahen në më tepër se 200 qytete të Rusisë.