Loza shkon të loza

01.06.2019 09:43:58
Nga Enver Zhinipotoku

Po habitem me disa që po reagojnë në mënyrë të çuditshme ndaj Kryeministres serbe Ana Bërnabiq për qëndrimin e saj ndaj shqiptarëve.Çfarë habie është kjo kur dihet se edhe Kryeministrat serb, që nga viti 1912-13, kur Kosova është pushtuar nga Serbia, të gjithë zyrtarët serb të rangut të ministrave, Kryeministrave, Presidentëve serb kanë pasur të njejtin qëndrim modifikimesh të ndryshme që nga Kryeministri Vlladan Gjorgjeviq, Kryeministri tjetër serb, kryeradikali, Nikolla Pashiq, Stevan Moleviq, Aleksandër Karagjorgjeviq, dinastia Obrenoviq, në kohën e Komunizmit, Rankoviqi, Sllobodan Peneziq- Kercun, Radmillo Bogdanoviq, Nikola Shainoviq, Stanishiqi, Millosheviqi, Shesheli, Zheljko Razhnjatoviq-Arkan, Aleksandër Vuçiq kur ishte radikal, Ivica Daçiq, e të tjerë mos t’ i numëroj.Të gjithë na kanë trajtuar njësoj ne shqiptarëve: të egër, që jetojmë nëpër shpella e drunj, na kanë quajtur” arnautë”, popull gjakpirës, fisnor, që nuk dijmë ç’është civilizimi, që nuk dijmë ç’është ligji, që jetojmë në bazë të kanunit të maleve, që vdesim vetëm nga pushka, që jemi injorantë, etj.etj. dhe asnjë shkencëtarë serbë kurrë nuk e ka marrë mundin të shkruaj, edhe nëse kualifikimet që na janë bërë kanë qenë, po themi kushtimisht “reale”, pse shqiptarët janë të tillë?!!!
Me përjashtime të rralla: Tucoviqi, Kosta Novakoviqi e ndonjë tjetër deri tek Natasha Kandiq, që kanë qenë realistë, të gjithë i kanë prirë valles dhe fryrë prushit të urrejtjes anti-shqiptare: Edhe Akademia Serbe, edhe Kisha Ortodokse Serbe, edhe Inteligjenca, edhe Shkrimtarët serb, janë kapur në këtë valle antishqiptare, që qytetarin serb e kanë mbushur me energji negative antishqiptare, plagët e së cilës urrejtje duhet t’ i shërojë e ardhmja, por kjo nuk mund të bëhet me mentalitet shovenist kundërshqiptar, që ka përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë serbe, në krye me pushtetin serb, i cili si duket e ka ndërruar vetëm gëzofin e pushtetit fashist të Millosheviqi, të cilin me forcën e bombave për 78 ditë e dënoi NATO dhe bashkësia ndërkombëtare. Këtë gjë e sheh dhe e di e gjithë bota, përveq udhëheqësve tonë, që bisedojnë me palën serbe dhe zhgënjehen me ta çdo ditë, pse serbët nuk i zbatojnë marrëveshjet!
Prandaj, është opinion imi subjektiv, i mbështetur në këto fakte që u përmenden, që mua nuk më habit fare, qëndrimi i Bërnabiqes, por do të më habiste, nëse do të dilte një figurë me peshë pushtetore serbe, që do të kishte dhe mbronte një qëndrim real ndaj shqiptarëve.Qëndrimi antishqiptar i Ana Bërnabiqit është vazhdë e atyre që kanë thënë e bërë për ne e kunder nesh liderët serbë, brez pas brezi.
Loza e kungullit, edhe po ta kaloj kufirin dhe të shkoj në shtet tjetër, kungullin e bën njësoj sikur tek rrënja.