LSI: Qeveria të përqendrohet tek reformat ekonomike dhe lufta kundër drogës

31.10.2016 15:33:48

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama në një deklaratë për mediat ditën e sotme rikonfirmoi në emër të partisë që përfaqëson se, koalicionin qeveritar vijon të funksionojë normalisht, ndërsa kërkoi nga qeveria që të jetë plotësisht e përqendruar në përmbushjen e reformave të mëdha.

Rama veçoi reformën zgjedhore si mjaft të rëndësishme, në një kohë që jemi vetëm disa muaj larg zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ndërsa nuk la pa përmendur luftën kundër krimit dhe drogës si dhe reformat ekonomike që kanë impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Mazhoranca dhe më konkretisht qeveria të jetë e përqendruar tek përmbushja e reformave të mëdha. Në këtë gamë është e rëndësishme reforma zgjedhore, lufta kundër krimit dhe trafikut të drogës dhe ajo që është thelbi i gjithë këtij procesi, është realizmi i reformave ekonomike, për të sjellë produkt konkret në jetën e shqiptarëve. Ne kemi përfaqësuesin tonë në komisionin për reformën zgjedhore dhe kontributin tonë do ta japim në këtë komision dhe në kuvend. Ligji i mbetjeve do të vlerësohet me shumë seriozitet, duke respektuar çdo ndjeshmëri dhe mbi të gjitha interesin e vendit”, tha Rama.