Lulzim Basha: Albert Veliut i janë ofruar 200 mijë euro për të përgënjeshtruar deklaratat

23.05.2018 23:25:31

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat nga selia blu ka denoncuar atë që e cilëson si përpjekje të dyshes Rama-Xhafaj për të çuar më tej skenarin e tyre me intimidimin dhe blerjen e të ashtuquajturit dëshmitarit X, Albert Veliu.

Sipas Bashës, Albert Veliut i është ofruar një shumë prej 200 mijë eurosh për të përgënjeshtruar deklaratat e pak ditëve më parë që implikonin vëllain e ministrit të brendshëm në trafikun e drogës.

“Sot njerëz të Xhafajt, nga Vlora dhe Fushë Kruja i kanë ofruar dëshmitarit X 200 mijë euro të pista të përfituara nga droga që ai të përgënjeshtrojë deklaratë e tij. Çdo përpjekje e dyshes Rama-Xhafaj për blerje të dëshmitarit i zhyt ata më tej në aferën e pistë të drogës”, tha Basha.

Kreu demokrat shtoi se “presioni shtetëror me paratë e krimit dhe drogës është prova më e qartë e rënies së shtetit dhe kapjes totale të qeverisë nga organizatat kriminale”.

“Kërcënimet dhe presionet janë rritur ethshëm para protestës sonë sepse ata kanë frikë. E vetmja forcë që mund ta ndalë këtë të keqe është bashkimi ynë”, tha Basha.