Lulzim Basha shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-kryeministrit kosovar

21.08.2017 12:02:00
Vdekja e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka tejkaluar kufijtë shtetërorë të ngushëllimit. Njerëz që kanë pasur rastin ta njohin, kanë shprehur ngushëllime për familjen.

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri (PD), Lulzim Basha, ka ngushëlluar për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.

“Bajram Rexhepi ishte njeri i veçantë dhe shqiptar i madh. Pak njerëz i kanë shërbyer popullit të tyre si ai, duke u kujdesur me përkushtim si mjek për jetët e njerëzve, duke luftuar për lirinë e tyre dhe duke drejtuar përpjekjet e tyre për demokraci dhe përparim”, ka shkruar Basha në llogarinë e tij në Facebook.

“Kam patur nderin të takohem shpeshherë me Bajramin dhe do të ruaj përherë brenda meje mbresat e pashlyera për dinjitetin, përunjësinë dhe mirësinë e tij”, ka shkruar më tej ai.

Basha ka thënë se kujtimi për ish-kryeministrin Rexhepi do të mbetet i paharruar.

“Në këto momente të dhimbshme të ndarjes së tij të parakohshme nga jeta bashkoj lutjet e mia me ato të familjarëve dhe miqve të tij. U prehtë në paqe! I paharruar kujtimi i tij!”, ka përfunduar Basha.