Lulzim Basha: Shpresojmë që sot kriza të zgjidhet me dialog

25.04.2017 12:39:29

Pjesë e fjalimit të Bashës në ditën e 67-të në çadrën e protestës ishte edhe ajo e negociatave që do të zhvillohet sot me zv.Presidentin e PPE-së, David McAllister.

Në ditën e 67 të protestës së opozitës, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se negociatat e sotme me eurodeputetët gjermanë duhet të çojnë drejt një zgjidhje dhe i bëri thirrje mazhorancës që t’i hapë rrugë arsyes dhe dialogut.

“Fundi nuk do jetë votim pa opozitën, shpërndarje e popullit, fundi do të jetë fitorja e kauzës sonë të drejtë. Urojmë që sot arsyeja e shëndoshë të mbizotërojë edhe te mendjet e sëmura te ata që duan të marrin peng zgjedhjet. Ti lutemi zotit edhe për kundërshtarët tanë. Të shpresojmë që rruga e arsyes dhe dialogut do të na çojë drejt një bashkimi kombëtar për Shqipërinë Europiane. Një gjë është e sigurt përmes dialogut ose përmes përballjes populli do të fitojë gjithmonë”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës Lulzim Basha, ka akuzuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se Policia e Shtetit nuk e ka asgjësuar lëndën narkotike të sekuestruar më parë dhe në kohët e fundit.

Basha i kërkoi Xahfajt të tregojë proces-verbalet e djegies së 2.5 milionë rrënjë kanabis dhe të mos hedhë aludime se janë prokurorët ata që nuk bashkëpunojnë me policinë.

“Fatmi Xhafaj, me pafytyrësi, i shkruan letër kryeprokurorit dhe i thotë më thuaj rastet kur policët nuk kanë bashkëpunuar me prokurorët, sikur qenka faji i tyre. Lërë prokurorinë, lëri qytetarët e opozitën dhe na trego proces verbalet e asgjësimit të 2.5 mln rrënjë të kanabisit. Ku i ke proces verbalet e shkatërrimit të 10 mijë tonë drogë? – tha Basha. – Tregoja shqiptarëve e të huajve. Por droga nuk u shkatërrua kurrë, por u magazinua nga kupola e policisë në bashkëpunim me Edi Ramën. Rama nuk e dorëzon drogën, sepse ka dalë garant me kokën e vet, se është pjesë e pandashme e drogës. Ka 48 orë që në grykëderdhjen e Ishmit ka ngecur në llucë motoskafi i Habilajve me drogë. Ku e ke policinë pse nuk e çon të kapësh skafin e Habilajve”.

Më pas Basha përsëriti edhe një herë kushtin e vetëm të opozitës për dialog se rrugë tjetër veç qeverisë teknike që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme nuk ka.