Lulzim Basha takon aleatët, diskutojnë planin e opozitës për mbështetje të banorëve të prekur

04.12.2019 00:12:46

Kryetari i opozitës Lulzim Basha, dhe aleatët e koalicionit opozitar u takuan në mbrëmje për të diskutuar rreth situatës së rëndë të krijuar pas tërmetit dhe pasojave të krijuara nga mosmarrja e masave të duhura nga qeveria.

Burime nga takimi bëjnë të ditur se aleatët e koalicionit opozitar i emergjencës rikonfirmuan mbështetjen për planin e opozitës të paraqitur nga zoti Basha, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.

-Shtim në terren të numrit të inxhinjerëve vlerësues. Ekspertët dëshmojnë se rreth 500 të tillë janë të gatshëm të përfshihen si vullnetarë.

-Vlerësim i shpejtë i dëmeve në çdo banesë. Ekspertët thonë se me zgjerimin e numrit të vlerësuesve, konstatimi i dëmeve mbyllet në më pak se 10 ditë.

-Anullim i 150 milionë dollarë, të parashikuar në buxhet për koncesionet e 10 oligarkëve.

Inceneratorët, projektet rrugore me çmim të trefishuar apo koncesionet korruptive në shëndetësi, dhe kalimin e këtyre fondeve për të ndihmuar familjet e goditura.

Krerët e partive të koalicionit vlerësojnë se ky është një plan nëpërmjet të cilit fitohet kohë e çmuar dhe burime financiare në ndihmë të banorëve.

51 persona të vdekur, 913 të plagosur dhe 47 të shpëtuar, ky është bilanci i tërmetit. Toka vijon të dridhet. Tashmë ka nisur puna për identifikimin e dëmeve dhe paralelisht po mblidhen fonde.