Lutfi Haziri dënon sulmin fizik ndaj drejtorit Naser Korça

20.06.2018 16:51:00

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dënuar sulmin e djeshëm të disa personave ndaj drejtorit të Shërbimeve Publike, Naser Korça, në zyrën e tij.

I pari i Gjilanit ka vlerësuar se sulmi fizik dhe presioni në administratë është i papranueshëm dhe se sundimi i ligjit është mjeti i vetëm i punës së administratës komunale.

Haziri ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ta zbardhin rastin deri në fund, duke u lutur që sulme të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.

Ndryshe, një ditë më parë Korça ishte shënjestër e një sulmi fizik nga katër persona në zyrën e tij.

Korça ka thënë se të dyshuarit për sulmin ndaj tij janë pronarë të një linje të autobusëve në Gjilan.

Ai pohoi se kishte qenë i paralajmëruar për sulmin por, sipas tij, nuk pati reagim nga Policia derisa ai ndodhi.