Manjani: Droga është rrezik kombëtar

12.01.2017 21:27:14

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, gjatë një interviste të dhënë në emisionin “Top Story”, në Top Channel, tha se vazhdon me bindjen e tij që për të zhdukur fenomenin e hashashit në Shqipëri, duhet të ndërhyjë ushtria.

“Shumë njerëz kanë preferuar që të dalin partizanë në male për të punuar në kultivimin e hashashit. Imazhi në Shqipëri po dëmtohet nga ky fenomen dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Por ne po bëjmë një strategji për të goditur këtë fenomen.

Nuk mund të jap më shumë detaje në lidhje me këtë çështje sepse bëhet fjalë për një tryezë pune. U gëzova që po punohet për të luftuar këtë fenomen. Duhet ta ndalim me çdo kusht, me ushtri, me xhandarmëri, me polici. Thelbi i këtij fenomeni është kontrolli i territorit. Droga është një rrezik kombëtar”, tha Manjani.

Në lidhje me lirinë e Klement Balilit, të ashtuquajturit “Baroni i Drogës”, Manjani mohon që të ketë lidhje me këtë person dhe se i takon policisë që ta arrestojë. “E njoh Klement Balilin nëpërmjet letrave. Nuk kam asnjë njohje për këtë zotëri. Ministri i Drejtësisë nuk bën arrestime dhe nuk e di arsyen se përse është ende i lirë. Më 17 maj 2016, kam firmosur dokumentin për shpalljen e tij në kërkim kombëtar dhe që ai të arrestohej. Nuk jap informacion në lidhje me këtë dosje sepse është informacion hetimor”, tha ministri i Drejtësisë.