Maqedoni, partitë shqiptare kundërshtojnë presidentin Ivanov

16.04.2017 21:57:44

Deklarata e Presidentit Ivanov për të përditshmen austriake “VinerCajtung” sipas partive shqiptare është nxitëse dhe nuk kontribuon marrëdhëniet ndëretnike. BDI-ja përgënjeshtroi Ivanov, i cili tha se një bisedë telefonike ka qenë shkaktari i mosvazhdimit të qeverisjes me VMRO–BDI.

Deklarata e Ivanovit për telefonatën e supozuar, sipas zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani, është shpifje e presidentit i cili është në mbrojtje të partisë së Gruevskit.

“Fillimisht i hedhim poshtë këto pretendime, këto janë shpifje. Asnjë faktor nga jashtë nuk ka ndikuar në vendimin e BDI-së, ky vendim ka qenë konsensual dhe i brendshëm i BDI-së, në momentin kur kemi konstatuar se koalicionimi me VMRO-në nuk i plotëson pritshmërinë tonë për një koalicion në këtë konstalacion”, deklaroi Bujar Osmani, BDI.

Edhe nga Lëvizja Besa intervistën e Ivanovit e vlerësuan si nxitëse që nuk reflekton pozitivisht në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Ndërsa për telefonatën e supozuar, Ibrahimi tha se nuk është për tu habitur nëse ndodh edhe një telefonatë tjetër e cila do të vazhdonte qeverisjen mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së.

Ndërsa Aleanca për shqiptarët vendosën mos të komentojnë paraqitjen e fundit të kreut të shtetit Ivanov. Sipas Aleancës deklaratat e Ivanovit nuk janë të besueshme dhe në çdo paraqitje të tij ai më tepër përkeqëson situatën politike në Maqedoni.