Marijuana, çfarë duhet të dimë

04.01.2019 11:38:13

Specialistja e shëndetit publik, Jonida Haxhiu, shpjegon çdo gjë që duhet të dini rreth marijuanës, pasojat që sjell në shëndet dhe varësia ndaj saj 

Marijuana është përzierje gjethesh, farash, kërcejsh, me ngjyrë të gjelbër, kafe osegri (Cannabis sativa). Kanabis është një term, i cili i referohet marijuanës apo drogave të tjera që vijnë nga e njëjta bimë. Forma të tjera të kanabisiy përfshijnë hashashin. Të gjitha format e kanabisiy janë droga psikoaktive (ndryshuese të proceseve mendore).

Ndër emrat e rrugës më të përdorur është “bari”, por ekzistojnë më shumë se 200 emra për të.

Të gjitha format e marijuanës ndryshojnë gjendjet e mendjes, ose e thënë me fjalë të tjera mënyrën sesi truri punon. Të gjitha përmbajnë THC (delta-9-tetrahydrocannabinol), kimikati kryesor aktiv tek marijuana. Po ashtu ato përmbajnë më shumë se 400 kimikate të tjera. Efekti i marijuanës tek përdoruesi varet nga fortësia e THC që përmban.

Marijuana mund të tymoset si një cigare ose në pipë apo llullë.

THC tek marijuana përthithet nga indet dhjamore të organeve të ndryshme. Gjurmë (metabolite) të TCH mund të gjenden tek testet standarte të urinës, deri disa ditë pas tymosjes. Ndonjëherë tek përdoruesit kronikë gjurmët mund të gjenden deri në disa javë pas përdorimit.

Njerëzit mund të përdorin marijuanë për shumë arsye. Të rinjtë, një ndër arsyet kryesore kanë presionin që u bëjnë miqtë apo personat rreth tyre që e përdorin. Disa mund ta përdorin sepse mendojnë se është në modë, pasi e kanë parë në televizor apo kanë lexuar për të.

Arsye tjetër mund të jetë sepse e mendojnë si një mënyrë për t’u shpëtuar problemeve në familje, punë, shkollë, shoqëri etj.

Efekti i kësaj droge tek secili person varet nga:

– eksperienca e përdoruesit

– fortësia e marijuanës

– ajo që përdoruesi pret që t’i ndodhë

– vendi ku është përdorur substanca

– mënyra se si është marrë

– nëse janë marrë edhe substanca të tjera etj

Disa njerëz mund të mos ndjejnë asgjë. Të tjerë mund të ndjehen të relaksuar apo mirë. Ndonjëherë marijuana i bën personat që e përdorin të ndjehen shumë të etur dhe të uritur. Disa njerëz mund të marrin efekte të pakëndshme nga marijuana. Ata mund të përjetojnë ndjenja të menjëhershme ankthi apo të kenë mendime paranojake.

marijuana

Efektet afatshkurtra të marijuanës përfshijnë:

– Probleme tek të lexuarit dhe kujtesa

– Shtrembërim të perceptimeve

– Probleme në të menduar dhe zgjidhjen e problemeve

– Humbje të koordinimit

– Rritje të rrahjeve të zemrës

– Ankth etj

Këto efekte janë më të forta akoma nëse përzihen me lloje të tjera marijuane apo me substanca të tjera, të tilla si alkooli apo kokaina. Në shumë raste përdoruesit nuk e dinë se çfarë substancash u janë dhënë.

Disa përdorues sidomos ata që janë të rinj apo ndodhen në një kontekst të panjohur, mund të përjetojnë ndenja ankthi akut dhe mendime paranojake. Kjo ka më shumë të ngjarë të ndodhë me doza të larta të THC, ndjesi të cilat fashiten me metabolizmin e substancës.

Në raste të rralla, një përdorues i cili ka marrë doza të larta të substancës, mund të ketë simptoma të ashpra psikotike dhe kanë nevojë për një trajtim urgjent mjekësor.

Pasojat

Përdorimi i marijuanës mund të prekë aktivitetet e personit. Ajo prek kujtesën, gjykimin dhe perceptimin. Substanca mund të krijojë probleme në shkollë, në sport apo tek marrëdhëniet. Nën efektin e marijuanës personi mund të bëjë gabime, të cilat më vonë mund të kuptojë që është vënë në pozita të vështira. Personat që e përdorin shumë marijuanën mund të fillojnë të humbin interesin rreth pamjes së tyre apo lidhur me ecurinë e tyre në shkollë apo punë.

Personat kanë probleme me lëvizjet dhe koordinimin dhe kështu të mos jenë në gjendje të bëjnë sport. Po ashtu përdorimi i marijuanës duke qenë se ndikon tek të menduarit dhe gjykimi mund të bëjë që personi të përfshihet në sjellje të rrezikshme seksuale, duke rritur kështu rrezikun për tu infektuar me HIV apo sëmundje të tjera ngjitëse.

Efektet afatgjata të marijuanës

Përdorimi afatgjatë i marijuanës mund të rritë mundësinë për t’u sëmurur me:

Kancer- Është e vështirë të dihet me siguri nëse përdorimi i rregullt i marijuanës shkakton kancer. Por tashmë dihet që marijuana përmban të njëjta kimikate si ato që gjenden tek duhani dhe shkaktojnë kancer. Sipas studimeve, tymosja e 5 cigareve marijuanë në javë është e njëjtë me pirjen e 1 pakete duhan në ditë.

Mushkëritë dhe rrugët e ajrit- Personat që tymosin marijuanë, zakonisht zhvillojnë të njëjtat probleme të frymëmarjes sikurse dhe duhanpirësit; të tilla si kolla dhe sekrecionet. Ata kanë më shumë mundësi të kenë ftohje se sa jopërdoruesit. Po ashtu ata janë rrezik më të madh për pneumoni.

Sistemi imunitar – Studimet me kafshët kanë gjetur se THC mund të dëmtojë ato qeliza dhe inde, të cilat e mbrojnë organizmin nga sëmundjet. Kur sistemi imunitar dobësohet, personi ka më shumë të ngjarë të sëmuret.

Personat që përdorin marijuanë për një kohë të gjatë, kanë të prekura shumë funksione mendore. Përdorimi i rëndë apo i përditshëm ndikon në atë pjesë të trurit që kontrollojnë kujtesën, vëmendjen dhe të mësuarin.

Përdorimi i marijuanës shkakton probleme në tru, të ngjashme me ata të shkaktuara nga përdorimi i alkoolit, kokainës apo heroinës. Studiuesit mendojnë se këto ndryshime e vendosin personin në një rrezik të shtuar për të krijuar varësi ndaj substancave të tjera.

Marijuana mund të çojë në përdorimin e substancave të tjera

Studimet afatgjata me persona përdorues kanë dëshmuar se shumë pak njerëz mund të përdorin substanca të tjera të paligjshme pa përdorur më parë marijuanë.  Për shembull llogaritet se rreziku për të përdorur kokainë është 104 herë më i lartë tek ata që kanë përdorur marijuanë sesa tek ata që nuk kanë përdorur. Përdorimi i marijuanës mund të vendosë njerëzit në kontakt me shitësit apo përdorues të tjerë, gjë që rrit mundësinë e kontaktit dhe të provuarit edhe të substancave të tjera.

Shkencëtarët po ekzaminojnë mundësinë që përdorimi afatgjatë i marijuanës mund të shkaktojë ndryshime në tru, gjë që e vendos personin më në rrezik për të krijuar varësi ndaj substancave të tjera, të tilla si alkooli apo kokaina. Ndërsa jo të gjithë njerëzit që përdorin marijuanë, përdorin edhe substanca të tjera, është e nevojshme të kuptohet se cilët persona janë më në rrezik.

Si mund të kuptohet nëse dikush ka përdorur marijuanë?

Në përgjithësi, tek shumica e personave që kanë përdorur marijuanë, personi duket si i hutuar, ka probleme në të ecur, ka sy të skuqur, ka vështirësi me kujtesën etj. Pasi kalojnë efektet e menjëhershme, pas disa orësh personi mund të jetë shumë i përgjumur.

A ndikon përdorimi i marijuanës në ngarjen e makinës?

Marijuana ka efekte seriozisht të dëmshme në ngarjen e makinës. Përdorimi i saj ndikon tek vigjilenca, koordinimi dhe aftësinë për të reaguar shpejt. Këto efekte mund të jenë prezente deri në 24 orë pas përdorimit të marijuanës. Përdorimi i marijuanës mund vështirësojë gjykimin lidhur me distancat dhe reagimin ndaj sinjaleve dhe tingujve në rrugë.

Marijuana mund të ndikojë në aksidentet automobilistike. Të dhënat dëshmojnë se personi që ka përdorur marijuanë ka mungesë koordinimi shumë të ngjashme sikurse tek i dehuri me alkool.

pregnant_woman_smoking

Përdorimi i marijuanës në shtatzëni

Mjekët i këshillojnë femrat shtatzënë të mos përdorin substanca gjatë shtatzënisë, për shkak se kjo do të dëmtontë rëndë fetusin. Në një studim me kafshë është parë që përdorimi i marijuanaës shkaktoi humbje të fetusit shumë shpejt në shtatzëni.

Studimet kanë treguar se fëmijë që kanë lindur nga nëna që kanë përdorur marijuanaë, janë shumë të shkurtër, me peshë të ulët dhe kanë përmasa më të vogla të kokës sesa fëmijët e tjerë. Po ashtu ka edhe të dhëna për problem në sistemin nervor të fëmijëve të nënave që kanë përdorur marijuanaë. Ende nuk dihet se si këts fëmijë të lindur nga nëna që kanë përdorur marijuanë, do të kenë probleme shëndetësore më vonë në jetë. Një studim i kohëve të fundit ka vërtetuar se fëmijët e lindur nga nëna që kanë përdorur marijuanë kanë vështirësi në përqendrim.

-50 mijë përdorues droge ka në vendin tonë sipas statistikave të ISHP-së

-30 për qind e përdoruesve të drogës janë mbartës të hepatit C dhe 20 për qind e atij B.

Marijuana ju dëmton 20 herë më shumë se cigaret

Marijuana është një nga drogërat më të përdorura në botë. Në disa vende madje ajo është legalizuar. Shumica e njerëzve mendojnë se ajo nuk ka efekte të rënda për shëndetin e tyre, por të përafërta me cigaren. Por nuk është kështu, pasi sipas një studimi të “British Lung Foundation”, është arritur përfundimi se marijuana apo siç njihet ndryshe hashashi, ju dëmton 20 herë më shumë se cigarja.

Pirja e marijuanës dëmton qarkullimin e gjakut, frymëmarrjen, shton rrezikun për kancer dhe shkakton probleme të mëdha psikike. Problemi është se ende njerëzit nuk janë shumë të vetëdijshëm për rrezikun e madh të marijuanës.

Kanabis

Çfarë është ?

Kanabisi është një lëndë si duhani, me ngjyrë mes të gjelbrës dhe kafesë, e cila përbëhet nga lulet dhe gjethet e sipërme të thara të bimës së kërpit. Rrëshira e kanabisit apo, siç quhet ndryshe, hashashi, është mbetja e tharë e një lënde që nxirret nga pjesa e sipërme e lulëzuar e bimës së kërpit, e cila kthehet në pluhur ose presohet në forma. Vaji i kanabisit ose, siç quhet ndryshe, vaji i hashashit, është një lëng i cili nxirret ose nga bima e tharë ose nga rrëshira.

Si merret?

Zakonisht të gjitha format e kanabisit merren përmes tymosjes, si duhani. Rrëshira dhe vaji i kanabisit mund edhe të hahen ose të pihen në formën e çajit.

Çfarë ndikimi ka te përdoruesi ?

Kanabisi i jep përdoruesit një ndjesi relaksimi dhe kënaqësie dhe ndonjëherë i vendos në një gjendje euforie. Përdoruesi mund të provojë edhe një ndjesi më të fortë të shqisave të shikimit, nuhatjes, shijes dhe dëgjimit.