Marrëveshje rekord, SHBA-të miliarda dollarë ushtrisë izraelite

14.09.2016 10:35:19

SHBA aprovoi planin për të garantuar ndihmë ushtarake për Izraelin gjatë 10 viteve të ardhshme në një marrëveshje rekord prej 38 miliardë dollarësh, më e madhja në historinë amerikane.

Me marrëveshjen e re, ndihma ushtarake amerikane për Izraelin rritet nga 3,1 në 3,8 miliardë dollarë në vit, por ekspertët thonë se Izraelit ju desh të bënte lëshime për të siguruar paratë.

Marrëveshja që ende nuk është firmosur formalisht, u arrit pas 10 muajsh bisedime.

Ajo u aprovua pavarësisht pakënaqësive të administratës Obama për ndërtimin e kolonive izraelite në territoret e pushtuara.

Pakti i ri zëvendëson një marrëveshje të ngjashme që përfundon në vitin 2018.

Mes të tjerave, Izraeli do të marrë çdo vit një fond prej 500 milion dollarësh enkas për mbrojtjen raketore.

Por Qeveri e Telaviv ka rënë dakord që të gjitha fondet do të shpenzohen përmes industrisë së mbrojtjes amerikane dhe jo tek kontraktorët ushtarakë në Izrael.

Ky i fundit gjithashtu nuk do të kërkojë më fonde nga kongresi amerikan, veç atyre që i garantohen çdo vit nga pakti i ri.