QKUK del me qëndrim për Noizyn, ja çfarë reagimi kishte pas operacionit (Foto+Video)

14.09.2016 10:40:07

Një incident i armatosur që ndodhi dje në Prishtinë, ndërmjet dy grupeve të këngëtarëve nga Kosova dhe Shqipëria, rezultoi me dy persona të plagosur. Bëhet fjalë për reperin Rigels Rajku (Noizy) dhe Denis Hajri (Varrosi), të cilën mbrëmë i janë nënshtruar operacioneve, pasi gjendja e tyre ishte përkeqësuar pas goditjeve të cilat kishin marrë në trup.

Përfaqësues të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë treguar se dy pacientët i janë nënshtruar operimit, mirëpo njëri prej tyre ka refuzuar të qëndrojë edhe më tej në QKUK. Avni Xhafa, ortoped në QKUK, ka treguar për “Indeksonline” se ishte Noizy i cili nuk dëshironte të qëndronte edhe më tutje në Klinikën e Ortopedisë. Ndonëse plumbi që kishte brenda trupit i është larguar nga mjekët, ai rrezikon që të ketë komplikime shëndetësore në të ardhmen.

“Plumbin ia kam larguar, e ka pas shumë thellë, në kofshë mbrapa. Pasi është kryer intervenimi ai është dashur të ndalet në spital dhe të përcillet gjendja pasi çdo trup metali, pavarësisht a është plumb apo diçka tjetër ai duhet të ndalet në spital dhe të përcillet”, thotë ai.

Më tej, Xhafa tregon se pasi është përfunduar operacioni gjendja e tij ishte stabile, mirëpo s’ka pranuar të qëndrojë në spital dhe se e ka nënshkruar vet refuzimin. Ai thotë se plumbi i është dorëzuar Policisë.

 

“Gjithmonë trupat e huaj metalik, e sidomos ato me armë zjarri, janë potenacil për ndonjë infeksion. Unë e kam njoftuar me gjitha komplikimet që mundet me i pas, ai e ka marrë mbi vete dhe ka thënë që “Përgjegjësia është e imja, dua të nënshkruaj vet largimin”. Ai thojke po du me shku në koncerte, kam koncert në Ferizaj e Mitrovicë dhe po du me shku. Unë i tregova që me këtë gjendje ti s’je për me shku në koncert, mirëpo ai tha se po e ndijë veten mirë”, ka treguar ortopedi i QKUK-së.

Ndryshe, reperi Noizy pas përljeshjes që kishte me Cozman dhe shokët e tij, në orët e mbrëmjes së djeshme ka performuar në “Coco-Club” në Ferizaj. Ai aty është pritur nga qindra fansa.