Masakër në brigjet e Jemenit, 31 migrantë të vdekur nga sulmi ajror

17.03.2017 23:14:10

Është të paktën 31 të vdekur bilanci i një bombardimi ajror që ka goditur një varkë që transportonte migrantë somalezë në Detin e Kuq përpara brigjeve të Jemenit.

Sipas burimeve të OKB-së, mes viktimave figurojnë edhe fëmijë. Nuk është akoma e qartë se kush e ka bërë bombardimin. Burime lokale të cituara nga mediat arabe, thonë se varka është sulmuar nga një helikopter luftarak Apache. Të paktën 80 persona të tjerë kanë shpëtuar nga sulmi.

Migrantët ishin duke udhëtuar për të tentuar të mbërrinin në Sudan. Trupat e pajetë janë grumbulluar nga autoritetet në një cep të plazhit.

Sulmi ndodhi në gjirin Bab al-Mandeb, që kontrollohet vazhdimisht nga forcat e koalicionit që udhëhiqen nga Arabia Saudite, e cila operon në Jemen.