Mavraj, rrugës drejt Hamburgut

22.12.2016 11:46:49

Ndaj Bayer Leverkusenit mbrëmjen e të Mërkurës Mërgim Mavraj zhvilloi një tjetër paraqitje pozitive me fanellën e Kolnit ashtu sic ka bërë në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni. Por sfida kundër Aspirinave mund të ketë qenë e fundit për 30-vjecarin me fanellën e klubit nga Rhein Energie Stadion. Mediat gjermane raportojnë se në merkaton e Janarit, Mavraj mund të largohet nga Kolni. Futbollisti nuk ka arritur ende marrëveshjen me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës aktuale që i skadon në verën e vitit 2017 dhe për të mos e humbur me parametër zero pas 6 muajsh skuadra nga Westphalia mund ta shesë në merkaton e dimrit.

Hamburgu është klubi që ka shfaqur më shumë interes për kuqeziun gjatë kësaj periudhe por për të firmosur me Mavrajn duhet të derdhë në arkat e Kolnit një shumë që varion nga 1,5 deri në 3 milionë Euro.  Për lojtarin shqiptar interesohen edhe disa skuadra të tjera të Bundesligës dhe klube nga jashtë Gjermanisë. Pak ditë më parë drejtori sportiv i Kolnit, Jorg Schmatdke në një prononcim për mediat theksoi se 30-vjecari nuk do të largohet nga Rhein Energie Stadion në Janar edhe nëse nuk rinovon, por tashmë mediat që qëndrojnë pranë klubit të Kolnit raportojnë të kundërtën dhe mbetet për tu parë se cfarë do të ndodhë.