Mbetje në Shqipëri? Basha: Nëse vërtetohet, Rama ka bërë genocid!

13.03.2017 18:55:52

Në ditën e 24-t të protestës së opozitës, kreu i saj Lulzim Basha ka deklaruar se qëndresa e qytetarëve në shesh do të vazhdojë deri sa të largohet kryeministri Rama.

Basha më tej hodhi hipotezën e një skandali të ri me importin e mbetjeve toksike nga Italia, që sipas tij është “bekuar” nga kryeministri Rama.

“Miq, gazetarë nga SHBA, mbrëmë njoftuan se janë shumë afër zbulimit të skandalit të plehërave që mafia ka futur në Shqipëri. Nëse këto fakte shpalosen ashtu siç janë zbuluar. Nëse këto fakte janë të vërteta, atëhërë ai atje duhet të zbresë dhe tu shpjegojë shqiptarëve përse zbritën këto mijëra tonë helme që mund të kenë filluar që tani të helmojnë bukën, ajrin e shqiptarëve, deklaroi Basha. – Nuk mjaftoi që i drogoi shqiptarët, por edhe po i hemon. Dita e sotme, java e sotme do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali, kjo nuk është asgjë më pak se genocid ndaj shqiptarëve. Ta mbash të fshehtë sjelljen e mbetjeve dhe t’i depozitosh në kundërshtim me ligjin, do të thotë të jesh bashkëpunëtor në genocid dhe nëse kjo është e vërtetë, unë do ti bëj thirrje popullit të të trajtojë si ata që bëjnë genocid. Ndaj mos u fshih pas shkarkimeve fasadë”.

Kryedemokrati i bëri thirrje Ramës të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, sepse në pushtet janë akoma njerëz të lidhur me krimin dhe drogën.

“Shqetësimi i politikës është kriminalizimi. Kjo është maskë e krimit, këta janë njerëz që përfaqësojnë llumin e shoqërisë. Procesi politik është asgjësuar. Ata njerëz janë kriminelë e kryetarë bashkish, sepse Rama i solli për të marrë pushtetin politik dhe për të mbajtur pushtetin politik. Ne nuk largohemi nga ky shesh pa krijimin e një qeverie teknike dhe kjo do të thotë që në mënyrë të domosdoshme të kërkojmë largimin e Ramës, si kushtin kryesor për zgjedhje të lira e të ndershme”, – u shpreh Basha.

Ai tha se shkarkimet në qeveri, nuk e kanë impresionuar, por sipas tij kjo e inkurajon dhe më shumë kauzën dhe qëndresën që kanë nisur qytetarët më 18 shkurt.

“Tahiri kanabizoi vendin, Beqja shërbeu përulësisht për shpenzimin e taksapaguesve shqiptarë, duke futur paratë në xhepat e 2-3 oligarkëve. Këta janë shërbëtorë të njeriut të kupolës që quhet Edi Rama, – shtoi Basha. –  Ndaj flijimi i tyre, nuk na ç’tendos nga kauza jonë, por na inkurajon për qëndresën që kemi nisur. Kjo qëndresë nuk ndalet, deri sa republika  vjetër e krimit, drogës, paligjshmërisë, republika e vjetër që i trajton zgjedhjet për të kapur pushtetin, të bjerë e të bjerë deri në kullën e fundit”.