Rama në QSUT: Shpërblim special për mjekët që shkojnë në spitalet e rretheve

13.03.2017 19:01:14

Kryeministri Edi Rama ishte sot në QSUT-të për të prezantuar projektet e kësaj qendre spitalore. Gjatë fjalës së tij ai tha se ndryshimi në sektorin e shëndetësisë është rrënjësor dhe rruga e ndryshimeve do të vazhdojë edhe më tej për të rritur cilësinë e shërbimit tek ata qytetarë që kanë nevojë për kujdes mjekësor.

Sipas tij, këto ndryshime janë të lidhura me reformat në Shëndetësi, të cilat janë udhëhequra nga vullneti i ministrit dhe jo nga vëmendja e shtuar e qeverisë; duke theksuar faktin se buxheti nuk ka qenë shumë i lartë.

“Jemi për të prezantuar vazhdimin e kësaj rruge, por pa asnjë diskutim, çka vërehet edhe nga vetë njerëzit në nevojë për kujdes shëndetësor, ndryshimi është rrënjësor. Këto ndryshime janë lidhur më reformat në Shëndetësi nga ana e ministrit. Kjo nuk ka të bëjë me vëmendjen e shtuar të qeverisë, por nga vullneti i ministrit”, tha Rama.

Më tej, shefi i qeverisë foli për sakrificat e punës së mjekëve dhe infermierëve, duke treguar edhe respekt për ato bluza të bardha që kanë vendosur ta ushtrojnë profesionin në Shqipëri, ndonëse i kanë pasur mundësitë që të punojnë në klinika shumë të mira në botë.

Ai tha se sistemi shëndetësor ka ende nevoja të rëndësishme. Për mjekët e Tiranës që shkojnë në spitalet rajonale do të ketë një pagesë 10 mijë lekë të reja në ditë. Ndërsa 5 mijë lekë të reja, për mjekët e spitaleve rajonale që shkojnë për një konsultë në zonat rurale.

Krahas rritjes 10% të pagave, kryeministri Rama tha se do të ketë një rritje me 25% për pagën e atyre që punojnë në reaminacion dhe urgjencë, si dhe do të ketë dyfishim të pagës për shërbimin e rojës.

“Përtej perceptimit në ajër, se mjekët, infermierët dhe  trupa e shërbimit shëndetësor është se ata thithin gjakun e shqiptarëve, por është e kundërta e këtij dyshimi, sepse ata që e kanë  njollosur bluzën e bardhë, nuk janë shumica. Puna juaj është me plot sakrifica, ashtu si kundër nuk është e vështirë që të shohësh se kemi të bëjmë me një profesion, ku mjekët kanë mundësi që ta ushtrojnë atë  edhe jashtë shtetit. Në këtë territor kemi profesorë dhe njerëz më shumë eksperiencë që mund të punonin në klinikat më të mira të botës, por që kanë preferuar të qëndrojnë këtu”, tha Rama.