MBPZHR dhe Oda Tregtare Kosovaro Turke pajtohen për vazhdim të bashkëpunimit

06.10.2016 15:45:01

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim drejtuesit e Odes Tregtare Kosovaro Turke, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë mes dy vendeve.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim drejtuesit e Odes Tregtare Kosovaro Turke, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë mes dy vendeve.

Ai i falënderoi drejtuesit e kësaj organizate për mbështetjen që kanë dhënë për bizneset në Kosovë, por edhe institucionet publike.

Sipas një komunikate të MBPZHR-së, ministri Krasniqi i njoftoi ata me të arriturat në bujqësi në vitet e fundit.

“Ministri deklaroi se po bëhen investime në rritje të prodhimit dhe cilësisë së produkteve bujqësore, në mënyrë që ato të arrijnë të zëvendësojnë shumë produkte që importohen, por edhe të jenë konkurrente në tregun ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Ministri Krasniqi shprehi gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me Oden Tregtare Kosovaro Turke, me qëllim të rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Nga ana e tyre, drejtuesit e kësaj organizate vlerësuan të arriturat në bujqësi në Kosovë dhe e njoftuan ministrin me bashkëpunimin që kanë me organizatat ekonomike në Kosovë si dhe bizneset e ndryshme. Ata shprehen gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në nisma konkrete.