Mbrojtja kërkon hetim nëntëmujor për Mustafën, prokurori e sheh shqetësuese këtë kërkesë

14.12.2020 19:16:03

Është duke vazhduar konferenca e tretë statutore ndaj Salih Mustafës, ish-eprorit të UÇK-së.

Në Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar seanca statutore ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Pasi që për shkak të konfidencialitetit u ndërpre seanca për publik, ajo rifilloi pas pak dhe me të filluar avokati i Salih Mustafës, Julius Von Boné, kërkoi që periudha e hetimeve të zgjasë nëntë muaj, pasi që siç theksoi ai, nga sot deri më 19 janar të vitit të ardhshëm Qeveria e Holandës ka marrë vendim për mbyllje totale dhe se kjo sipas tij, do ta vështirësojë edhe çështjen hetimore.

“Dëgjova se në lajme sot që do të bëhet një mbyllje e plotë në lidhje me pandeminë në Holandë dhe do të fillojë sot  dhe do të vazhdojë deri më 19 janar. Siç ju thashë do të jetë një mbyllje e plotë dhe kjo do t’i kufizojë mundësitë e mbrojtjes për të bërë hetimet e veta apo për të udhëtuar në Kosovë. Do të kisha thënë se do të zgjasin hetimet së paku rreth nëntë muaj”, theksoi avokati Julius Von Boné, raporton më tutje.

Mirëpo periudhën prej nëntë muajsh për hetim, e sheh shqetësuese prokurori i çështjes, Cezar Mihalchuk.

“Ne synojmë që ta finalizojmë procesin e nxjerrjes së dokumentacionit sa më shpejtë që është e mundur dhe të kalojmë sa më shpejtë që është e mundur në fazën e gjykimit. Nëse marrim parasysh datën që tha kolegu im, nëntë muaj për hetime, për ne është mjaftë shqetësuese, ne e kemi të qartë se mbrojtjes i duhet kohë për hetim, por duhet ta vlerësojmë edhe masat që janë në lidhje me pandeminë, në çfarë mase do të ndikojnë në mbrojtjen që të udhëtojë drejt Kosovës për të kryer hetimet e tij”, tha prokurori Mihalchuk.

Kurse gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se e kupton që mbrojtjes i nevojitet më shumë kohë për hetime dhe se çëshjta e pandemisë do t’ia vështirësojë punët mirëpo, ai kërkoi që të punojnë intensivisht në mënyrë që të mos zgjatet kjo fazë. Ai po ashtu i tha mbrojtjes se, si tribunal ndërkombëtar kanë mundësi që të përjashtohen nga vendimi i qeverisë holandeze dhe që mbrojtja mund të marrë leje për të udhëtuar në Kosovë, por ka raste kur edhe hetimet mund të bëhen në distancë.

“E kam të qartë se nuk e keni të gjithë informacionin në lidhje me hetimet, por ju sugjeroj që të vazhdoni hetimet në mënyrë që të mos e zgjasim këtë fazë paraprake. Ne si një tribunal ndërkombëtar kemi mundësi që të marrim përjashtime në lidhje me udhëtimet. Ka gjithashtu mundësi për të kryer hetime nga distanca. Ne do t’i diskutojmë këto në seancën tjetër. Dhe është e qartë se atëherë do ta kemi parasysh se sa mund të zgjasin hetimet e juaja”, theksoi gjykatësi Guillou.