Melania Trump padit ”Daily Mail” për shpifje

02.09.2016 10:32:09

Melania Trump ka paditur gazetën britanike “Daily Mail” dhe një portal me bazë në SHBA pasi kanë raportuar se ajo ka punuar si eskortë gjatë viteve ’90, sipas revistës amerikane ”Hollywood Reporter”.

Bashkëshortja e kandidatit republikan për president, Donald Trump ka ngritur një padi për shpifje ndaj gazetës dhe blogerit, Webster Griffin Tarpley, i cili ka thënë se ajo ka jetuar në frikë për publikimin e të kaluarës së  saj të supozuar si një punëtore seksi.

Që të dy, si blogeri ashtu dhe ”Daily Mail” kanë fshirë më pas artikujt e tyre të publikuar muajin e kaluar dhe i kanë kërkuar falje Trump.

”Daily Mail” thotë se artikulli i tij me titull “Fotot provokative dhe pyetjet shqetësuese lidhur me të kaluarën e gruas së tij, mund të prishë imazhin e Trumpit” nuk kishte për qëllim të pohonte se Melania Trump ka punuar si eskortë apo në industrinë e seksit.

 

Veprimi i gazetës dhe blogut ishte “i neveritshëm, i pështirë, i qëllimshëm, keqdashës dhe shtypës” thuhet në denoncimin e Melania Trump në një gjykatë, në Maryland.

Trump, e cila ka lindur në Slloveni dhe u martua Donald Trump në vitin 2005, kërkon nga të pandehurit një minimum  prej 75 mijë dollarësh për kompensimin e dëmeve.