Merkel, Hollande, Renzi: Takim për unitetin evropian

21.08.2016 18:53:24

Udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë do të takohen të hënën për të diskutuar mënyrat se si të mbajnë të bashkuar projektin evropian.

Do të jetë ky takimi i dytë i liderëve të tri ekonomive më të mëdha të Eurozonës, prejse Britania e Madhe ka vendosur të largohet nga BE-ja në referendumin e 23 qershorit.

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, do të mirëpresë në një ishull në brigjet e Napolit kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Francois Hollande.

Zyrtarët në Bruksel dhe Berlin druajnë se largimi i Britanisë nga blloku mund të nxisë referendum në Holandë – njërin nga anëtarët themelues të BE-së – për dalje ose mbetje në këtë bllok.

“E hëna synon të tregojë unitetin e tre vendeve më të mëdha në Evropë, por jo të krijojë një klub të veçantë”, tha një burim francez, citon Reuters.