Mësuesja dhe nxënësja rrahen në orë të mësimit, nxënësit e filmojnë ngjarjen

14.04.2017 19:02:23
Një mësuese po e qortonte një nxënëse brenda klasës për shkak të sjelljeve të saj të këqija, por në një moment ajo humbi durimin dhe e goditi me shuplakë nxënësen e cila ia ktheu me të njëjtën, ndërsa ngjarjen e tmerrshme e kanë filmuar nxënësit tjerë me telefona që ishin brenda klasës.
Në video mund të shihet se si nxënësja vazhdimisht injoron mësuesen, e cila po e qortonte dhe po e paralajmëronte se nëse vazhdon të sillet keq do ta godasë, transmeton Telegrafi.

Por edhe përkundër këtij paralajmërimi vajza dukej se nuk i trembej mësueses, e cila në një moment humb durimin dhe e godet me shuplakë në fytyrë.

Në atë moment situata doli nga kontrolli dhe në të njëjtën formë iu kundërpërgjigj edhe nxënësja, por pas disa sekondave reaguan nxënësit tjerë të cilët u futën në mes tyre për ta qetësuar situatën.

Ende nuk dihet nëse zyrtarët e shkollës kanë ndërmarrë ndonjë veprim kundër mësueses apo nxënëses, ndërsa ngjarja raportohet të ketë ndodhur në Kinë.