Pacolli: Prapa paralajmërimeve për situatën e sigurisë fshihen agjenda politike

14.04.2017 18:52:49

Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se institucionet kompetente nuk guxojnë të përhapin panik te qytetarët, por të jenë syhapur dhe në kryerje të detyrave kushtetuese në shërbim të sigurisë së njerëzve.

Ky reagim i Pacollit vjen pas paralajmërimeve të institucioneve lidhur me situatën sigurisë në vend.

Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pas këtyre paralajmërimeve fshihen agjenda të tjera politike, dhe kjo përveç shqetësimit paraqet edhe fyerje për dinjitetin e qytetarëve të Kosovës.

Postimi i plotë i Pacollit:

“Janë shumë shqetësuese disa lëvizje të çuditshme që po ndodhin kohëve të fundit në Kosovë. Është shumë shqetësues edhe paralajmërimi i institucioneve për situatën e sigurisë në vend. Institucionet kompetente nuk guxojnë të përhapin panik të qytetarët por të jenë syhapur dhe në kryerje të detyrave kushtetuese në shërbim të sigurisë së njerëzve. Në rast se prapa këtyre paralajmërimeve fshihen agjenda të tjera politike, kjo përveç shqetësimit paraqet edhe fyerje për dinjitetin e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.