Mikullovci e ka obligim të thërras seancën, ose t’ia lirojë vendin deputetit tjetër, tha Smaka

23.08.2017 16:19:52

Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci deklaroi sot se nuk do të thërras më seancë konstituive, pasi koalicioni PAN-i po i bojkoton ato tash e katër herë.

Madje Mikullovci tha se do ta shpërndajë Kuvendin, edhe pse nuk e ka një mundësi të tillë.

Riza Smaka, tha se Mikullovci nuk ka të drejtë të thotë se nuk thërret më seancë, vetëm nëse nuk është mirë me shëndet.

“Në parim nuk ka autorizim që të mos e thërras seancës. Ai mundet vetëm nwse fizikisht ose psiqikishtë do të kishte pengesa, ndonjë sëmundje objektive që e pengon. Ai është deputeti më i vjetër dhe ai është i autorizuar për ta thirrur seancën, e nuk mundet të shpreh kapriç, jo unë nuk e thërras më”, deklaroi ai.

Mikullovci ka autorizim, tha Smaka, dhe obligim ani pse nuk e precizon Kushtetuta, por interpretimi është i tillë.

“Ai duhet se e ka me autorizim, por është edhe obligim, ndryshe mund të deklarohet se nuk është në gjendje për ta thirr më seancën për shkak se po bëhen provokime nuk po mundem t’i tolerojë, me shëndet nuk jam mirë”, u shpreh njohësi i Kushtetutës.

Nëse Mikullovci nuk është në gjendje të kryej detyrën e tij siç është e caktuar, Smaka sqaroi se në vend të tij vije deputeti i dytë në moshë.

“Në kushtetutë nuk është e precizuar kjo, por nëpërmjet interpretimit logjik dhe juridik je i autorizuar dhe i obliguar”, u shpreh më tutje Smaka.

Kujtojmë, se kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj sot në një konferencë tha se është e mundur që PAN-i të mos merr pjesë nesër në seancën konstituive, që rezulton se mund të dështojë seanca për të pestën herë, pasi koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit bojkoton kuvendin.