Holanda i del në ndihmë FSK-së

23.08.2017 16:22:56

Me rastin e pranimit të një donacioni nga Qeveria e Holandës, ministri në detyrë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, pritën sot në vizitë pune, ambasadoren e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.

Demolli dhe ambasadorja Willems biseduan edhe për marrëdhëniet e mira  ndërmjet të dyja vendeve  me theks të veçantë për bashkëpunimin e mirë ndërmjet dy ministrive të Mbrojtjes.

Pas takimit në kazermën “Adem Jashari” u mbajt ceremonia e dorëzim-pranimit të donacionit të Qeverisë së Holandës për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në vlerë mbi 22 mijë euro.

Donacioni ka të bëjë me makina qepëse të trikotazhit dhe tapiceri me materiale përcjellëse të mirëmbajtjes. Kurse trajnimin profesional për përdorim të këtyre makinave, të pjesëtarëve të FSK-së, e ka mundësuar Qeveria e Gjermanisë përmes Forcave të Armatosura të saj. Dorëzimin e këtij donacioni e bëri ambasadorja e Holandës, znj. Gerrie Willems dhe e pranoi ministri i FSK-së, Haki Demolli.