Milani nxiton për Donnarumma-n, 5-fishim të rrogës

28.12.2016 21:46:01

Paraqitjet e shkëlqyera të portierit 17-vjeçar, të cilat e patën kulmin në finalen e Superkupës së Italisë, kanë bërë që klubet më me emër të interesohen për Gianluigi Donnarumma, por drejtuesit e Milanit reagojnë menjëherë.

Pronarët janë në një mendje me Galliani-n dhe Fassone-n, se është e domosdoshme që kuqezinjtë të blindojnë portierin e ri.

Strategjia e “Djallit” është që të organizojë sa më shpejt një takim me menaxherin e lojtarit, Mino Raiola, duke i ofruar rinovimin e kontratës deri në vitin 2022 me rrogë që do ti 5-fishohet.

Sipas gazetës “Corriere dello Sport”, Milani synon që ta mbyllë marrëveshjen e re deri më 25 shkurt 2017, dita kur Donnarumma do të festojë 18-vjetorin e lindjes dhe mund të firmosë kontratë me kohëzgjatje më të madhe se tre vjet.

Ideja e drejtuesve kuqezi është që ti ofrojnë portierit rinovimin për 4-vjet, ndërsa kontrata aktuale përfundon në vitin 2018. Gjithashtu, rroga e talentit do të kalonte nga 1 milionë euro neto që gardiani përfiton aktualisht, në 5 milionë euro, duke përfshirë edhe shpërblimet.
burimi./ Top Channel/