Milani, president dhe CEO bëhet Scaroni; ikën Fassone

21.07.2018 11:26:51

Milani “mbyll kllapat kineze” dhe hap epokën “Elliott”, falë bordit të ri, të mbledhur këtë mëngjes. Bord, i cili ka revokuar komponentin kinez të formuar nga Li Yonghong, David Han Li, Lu Bo, Xu Renshuo dhe ka liruar Marco Fassone si administrator.

Në vend të tij, i përkohshëm, është propozuar emërimi i Paolo Scaroni, i cili gjithashtu do të jetë presidenti i kuqezinjve. Ky bord i ri, i cili do të qëndrojë në detyrë deri më 30 qershor 2020, do të përbëhet nga Scaroni, Marco Patuano, Franck Tuil, Giorgio Furlani, Alfredo Craca, Salvatore Rim, Gianluca D’Avanzo dhe Stefano Cocirio.

Këto janë fjalët e para të presidentit të ri, Scaroni: “Për mua është një nder i madh të drejtoj një klub kaq të madh futbolli. Jam i lumtur që ndodhem këtu dhe deklaroj se takimi përfundoi”. “Elliott”, ndërkohë, dje mori fitoren e tij të parë në CAS, gjykata e njohur sportive, e cila mbështeti ankesën e Milanit dhe fshiu përjashtimin e kuqezinjve nga “Europa League”, vendim i marrë nga UEFA disa javë më parë.

Në këtë pikë mbetet të kuptohet e ardhmja e Massimiliano Mirabellit, por ai mund të qëndrojë në detyrë së paku deri në fund të kësaj seance transferimi, përpara se të zëvendësohet. Nga ana tjetër, Gennaro Gattuso, i cili është zgjedhur nga Mirabelli, gjithashtu gëzon besimin e “Elliott”, ndërsa sipas “La Gazzetta dello Sport”, shanset ranë për një kthim në klub të Leonardos.