Ministri Haki Demolli priti komandantin e Detashmentit të bashkuar regjional jugor të KFOR-it, kolonel Mustafa Tavazar

15.02.2017 20:15:31

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës(MFSK), zotëri Haki Demolli priti në takim komandantin e Detashmentit të bashkuar regjional jugor të KFOR-it, kolonel Mustafa Ihsan Tavazar, njëherësh edhe komandanti i Kontingjentit turk të KFOR-it.

Në takimin e përbashkët të ministrit Demolli dhe kolonelit Tavazar u bisedua për gjendjen e sigurisë në vend, zhvillimin e FSK-së dhe angazhimin e KFOR-i në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend, me theks të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të Kontingjentit ushtarak turk në kuadër të KFOR-it, i cili në vazhdimësi ka përkrahur avancimin profesional dhe zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nga ana e tij, ministri Demolli duke i uruar detyrën e re, e ka falënderuar kolonelin Tavazar për mbështetjen që shteti i Turqisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të saj kanë dhënë për Kosovën dhe FSK-në, përmes angazhimit të pakursyer të ekipeve trajnuese të ushtarakëve turq.

Gjithashtu edhe kolonel Mustafa Ihsan Tavazar ka shprehur gatishmërinë që bashkëpunimi me MFSK-në dhe FSK-në të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen, njëkohësisht Ai ri përsëriti përcaktimin e Turqisë që të mbështetës Kosovën në ngritjen dhe avancimin e mekanizmave të saj të sigurisë.