Ministri i Diasporës, Valon Murati, në Francë për të ndihmuar e institucionalizuar...

Ministri i Diasporës, Valon Murati, në Francë për të ndihmuar e institucionalizuar shkollën shqipe

02.04.2017 22:10:29

Ministri i Diasporës, Valon Murati, ka takuar bashkatdhetarët në Provins të Francës, me të thotë të ketë bashkëbiseduar për mundësitë e vendosjes së një raporti bashkëpunimi në të ardhmen.

“U morëm vesh që menjëherë të ndihmojmë shkollën shqipe me librat e nevojshëm si dhe të ndihmojmë në zbatimin e planprogramit mësimor të dedikuar për diasporën. Gjithashtu në bashkëpunim me ambasadën do të hulumtohen se cilat janë mundësitë që mësimi shqip të ndihmohet institucionalisht edhe nga shteti francez”, ka thënë Murati.

Një ditë më parë, Murati ka treguar se bashkë me ambasadorin Qëndrim Gashi ka takuar edhe bashkatdhetarët në Lion me të cilët po ashtu kanë biseduar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit.

“Theksi i bashkëbisedimit u përqendrua rreth mundësisë së rihapjes së shkollës shqipe, organizimit të aktiviteteve kulturore dhe organizimit të bizneseve shqiptare në Lion. Ne ofruam ndihmën tonë në të gjitha këto fusha”, ka thënë Murati.

Ndërkohë, të dielën mbrëma në Paris, Murati thotë se kishte kënaqësinë ta takonte Erza Muqollin, yllin në ngritje të muzikës në Francë.

“Erza është pjesëtare e grupit ‘Kids United’ e cila nën patronatin e UNICEF-it po ndihmon fëmijët në nevojë përmes koncerteve dhe shitjeve të albumeve. Njëkohësisht Erza është krenaria e re e shqiptarëve dhe e Kosovës në Francë. Ajo vetë me krenari e prezanton pa hezitim kombin dhe vendin e vet”, ka thënë Murati.