Ministri Zemaj ngushëllon familjen e doktorit Zuka, që humbi jetën si pasojë e COVID-19

21.07.2020 11:39:56

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka ngushëlluar familjen e doktorit, Fadil Zuka, i cili ka humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Ministri Zemaj ka thënë se doktori Zuka deri në momentet e fundit të jetës së tij i ka shërbyer profesionit të mjekut dhe popullit në luftën kundër COVID-19,

“Me rastin e ndarjes nga jeta të mjekut familjar dr. Fadil Zuka, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, qytetarëve të Vitisë dhe komunitetit mjekësor në Kosovë. Duke i shërbyer profesionit të mjekut dhe popullit të tij në luftën kundër Covid-19 deri në momentet e fundit të jetës së tij, dr. Zuka do të mbetet një shembull i profesionistit të përkushtuar, të dashur e vlerësuar nga kolegët dhe pacientët e tij të cilëve u shërbeu me dinjitet e profesionalizëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, Oda e Mjekëve të Kosovës ka njoftuar se ka ndërruar jetë doktori, Fadil Zuka si pasojë e COVID-19.

Oda e Mjekëve të Kosovës thekson se Fadil Zuka është doktori i parë që humb betejën me coronavirus.